ASH-AAA: Ganiun dështoi në realizimin e premtimeve të “Kontratës”

Koalicioni ASH Alternativa akuzon kreun e Komunës së Çairit, Visar Ganiu se e ka shkelur “Kontratën” të cilën e lidhi me çairasit në zgjedhjet e fundit lokale. Zudi Koka nga koalicioni opozitar tha se Ganiu nuk i realizoi projektet e premtuara kapitale as në infrastrukturë, arsim, kulturë e as në sport, por se e shtoi kaosin dhe varfërinë.
https://www.youtube.com/watch?v=jTotQ5VWcDo
Jeta e banorëve në Çair fatkeqësisht nuk ndryshoi asgjë në këto 4 vite, përpos që u përkeqësua. Iu shtuan katet ndërtesave pa leje, u uzurpuan hapësirat e gjelbra dhe u degradua gjithçka. Kaosit në komunikacion, që premtohej se do ti gjendej zgjidhje me ndërtimin e 4 garazheve në kate dhe 15 rrethrrotullimeve, fatkeqësisht nuk u bë asgjë as edhe në këtë drejtim. Premtohej madje edhe efikasiteti energjetik në ndërtesa, por edhe kjo mbeti vetëm një ëndërr për banorët e Çairit -deklaroi Zudi Koka, ASH AAA.
Nga Komuna e Çairit nuk i komentojnë akuzat e opozitës. Ndryshe, në zgjedhjet e kaluara lokale, kandidati i përbashkët i BDI-së dhe LSDM-së, Visar Ganiu i zyrtarizoi premtimet në dokumentin e quajtur “Kontrata 2017-2021”. Në të përfshiheshin projekte të ndryshme duke filluar nga rikonstruimi i disa objekteve ekzistuese, ndërtimi i objektit të ri për Kopshtin Bambi, garazhe në kate tek Saat Kulla, Teatri Shqiptar, tek Çairçanja dhe garazhe nëntokësor në kate tek Sheshi Skënderbe, qendra rinore, 15 qarqe rrugore, shndërrimi i një kopshti në klinikë për fëmijë, qendra sportive multi-funksionale dhe të tjera.
Anesa Salihu