Partitë mbështeten te marrëveshja për Kuvendin

Dy partitë më të mëdha politike LSDM-ja dhe VMRO-DPMNE-ja janë të bindura se marrëveshja mes liderëve Zaev dhe Mickoski ka qenë e mjaftueshme për vijimin pa pengesë të punës së Kuvendit. Hristijan Mickoski thotë se rezultatet e para u panë javën e kaluar kur kaluan disa ligje të ngecura prej kohësh.
Atë që e deklaruam për opinionin, si person i përgjegjshëm dhe politikan do të thoja se është në proces realizimi. Ne aty nuk arritëm marrëveshje absolute se nga ai moment e këndej do të këndojnë zogjtë dhe do të rriten lulet. Përkundrazi, u morëm vesh për ta relaksuar pak situatën në vend”, theksoi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Nga LSDM-ja, si me të rëndësishme e konsiderojnë pakon e pestë të masave e cila presin të miratohet se shpejti.
Për shkak se është me procedurë të shkurtuar, sipas Rregullores nuk mundet më shumë se dy ditë të diskutohet dhe të debatohet sipas ligjit. Unë pres që Komisioni të mblidhet këto ditë që të fillojnë të rrjedhin ditët për diskutim dhe shpresoj se me shumicë të madhe do t’i miratojmë në kuadër të plenumit”, pohoi Kostadin Kostadinov, zëdhënës i LSDM-së.
Pas takimit, dy liderët kishin deklaruar se janë dakorduar për zhbllokimin e disa ligjeve të ngecura prej kohësh si ai për Qendrën Klinike, legalizimi i ndërtimeve pa leje, pakoja e pestë e masave ekonomike, për kreditë e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, reformat në Agjencinë e mediave dhe RTVM, gjashtë ligjet që lidhen me pensionimin në 64 vjet, ligjet për ekologji dhe ata që janë në agjendën evropiane dhe për pandeminë.
Nga të dakorduarat, tashmë është miratuar shtyrja e regjistrimit në terren për në muajin shtator dhe ndryshimet e Kodit zgjedhor të nevojshme për përdorimin e terminaleve të shenjave të gishtave.
Ndërkohë, grupet e punës janë angazhuar për të arritur marrëveshje për ndryshimin e modelit zgjedhor në model me një njësi, lista preferenciale për këshilltarë lokal, një rreth zgjedhor për zgjedhjen e kryetarëve të komunave dhe më shumë vendvotime për diasporën.
Fatlume Dervishi