Opozita shqiptare nuk heq dorë nga kërkesat për ligjin e shtetësisë

Opozita shqiptare pret kryeministrin Zoran Zaev për të thënë fjalën e fundit nëse ka kompromis mbi ligjin për shtetësi ose jo. Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa janë të vendosur, derisa nuk ka marrëveshje, nuk ka zhbllokim të Kuvendit.

https://www.youtube.com/watch?v=bEiztnj4-jA

Jemi në pritje të takimit me kryeministrin Zaev sa i takon harmonizimit të qëndrimeve mbi propozim-Ligjin për shtetësi. Deri tani nuk kemi përcaktuar datë ose moment. Shpresojmë në atë që tha kryeministri që të mërkurën ose të enjten do të ndodhë takimi i kryeministrit me liderët tanë dhe të bëjmë përpjekje që ta rrumbullakojmë edhe këtë ligj- deklaroi Ilmi Aziri, Deputet i ASH-së.

Zaev nuk ka takuar ministrin e Brendshëm, Oliver Spasovskin dhe atë të Drejtësisë, Bojan Mariçiq për t’u koordinuar para takimit me liderët e opozitës shqiptare. Nga LSDM thonë se derisa Mariçiq ndodhet në vizitë jashtë vendit, nuk mund të pritet takim koordinues. Takimin me Selën dhe Gashin kryeministri Zaev e paralajmëroi dy ditë më parë. Nuk përjashtohet mundësia që takimi mes liderëve të zhvillohet javën e ardhshme.

Po këtë javë do të mbajmë takim. Nesër në mbrëmje do të kem takim koordinues me ministrin e Brendshëm dhe ministrin e Drejtësisë për ta përfunduar atë që kemi si detyrim tonin mbi sugjerimin e dy partive opozitare nga takimi i fundit. Këtë javë do të kemi takim në të cilin do të mundohemi të gjejmë zgjidhje afatgjate shtetësinë- pohoi Zoran Zaev, Kryeministër.

Për shkak të mos procedimit të propozim-Ligjit për shtetësi, opozita shqiptare me mijëra amendamente ka bllokuar disa ligje, në mesin e të cilëve edhe ai për masat ekonomike dhe ligji për kundërvajtje, ndërsa paralajmëron bllokada të reja derisa shtetësia nuk merr epilog pozitiv.

Adrian Kerimi

LEXO EDHE:

Back to top button