SHBA-BE akuzojnë Bjellorusinë për përfshirje në një akt terrorizmi shtetëror

Shtetet e Bashkuara dhe qeveritë evropiane akuzuan Bjellorusinë për përfshirje në një akt terrorizmi shtetëror, lidhur me ngjarjen e së dielës, kur autoritetet e saj detyruan një avion të bënte një ulje emergjente në Minsk pas një kërcënimi me bombë dhe më pas arrestuan një bloger, i cili kritikon Presidentin autoritar Alexander Lukashenko.
Udhëheqësit evropianë kërcënuan të hënën se do të kufizojnë trafikun ajror ndërkombëtar mbi Bjellorusi dhe mundësisht edhe transportin e saj tokësor. Ndërkaq qeveria lituaneze po i këshillon qytetarët e saj të mos udhëtojnë në Bjellorusi dhe po u kërkon atyre që ndodhen atje të largohen menjëherë.
Udhëheqësit e zemëruar të Bashkimit Evropian po shqyrtojnë një përgjigje të përbashkët ndaj veprimit të Bjellorusisë, që detyroi uljen në Minsk të një avioni që po fluturonte në një linjë brenda vendeve të BE-së, në mënyrë që të arrestonte një gazetar të shquar të opozitës.
Raman Pratasevich, i cili drejtonte një aplikacion të njohur mesazhesh që luajti rol kryesor në mbështetjen e organizimit të protestave masive kundër presidentit autoritar të Bjellorusisë, ishte në avionin e kompanisë Ryanair që po fluturonte nga Athina e Greqisë për në Vilnius të Lituani, para se të bënte një ulje të detyruar në kryeqytetin bjellorus, Minsk, ndërsa fluturonte mbi Bjellorusi.