Përmirësohet dukshëm gjendja me Covid-19 në Kosovë

Gjendja pandemike e shkaktuar nga Covid-19 në Kosovë është përmirësuar dukshëm. Në javët e fundit rastet e reja të infektimit, por edhe vdekjet nga koronavirusi kanë shënuar rënie të madhe.
Gjatë ditës së djeshme u shënuan vetëm 18 raste të reja, ndërsa nuk u regjistrua asnjë vdekje. Teksa të shëruar rezultuan 412 pacientë.
Raste aktive mbesin vetëm 2 mijë e 593 raste.
“Numri total i rasteve pozitive është 107.354 raste nga 604.205 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 2.242 raste të vdekjes. Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 412 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 102.519 raste, kurse numri i rasteve aktive është 2.593”, bëhet e ditur në raportin e fundit të IKSHPK-së.
Kujtojmë se mbrëmë Qeveria miratoi lehtësimin e masave antiCovid-19. Ora policore u largua, ndërsa gastronomia do të lejohet të punojë deri në ora 23:00. Po ashtu u lejua edhe largimi i masave kur qytetarët shëtisin vet në hapësira publike. Ndërkaq, sipas noftimeve të autoriteteve shëndetësore, Kosova pret që deri në fund të vitit të pranojë 1.213.290 doza të vaksinës kundër koronavirusit të kompanisë Pfizer ndërsa nga 15 qershori do të nisë zbatimi i plani i imunizimit në masë kundër koronavirusit. ku pritet që brenda muajit të vaksinohen 300 deri 400 mijë vaksina.
Kjo është kontrata e parë që Kosova ka arritur të nënshkruajë me ndonjë kompani farmaceutike për sigurimin e vaksinave kundër koronavirusit. Deri më tani, Kosova ka përdorur vaksinat e dhuruara nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe nga Bashkimi Evropian. Të enjten, Kosova pranoi një kontingjent prej mbi 100 mijë vaksinash të kompanisë Pfizer nga COVAX-i.
Aktualisht, po vaksinohen personat personat nga mosha 65 deri në 79 vjeç, pasi u vaksinuan personat mbi 80 vjeç, ata me sëmundje kronike dhe personeli shëndetësor. Qeveria e Kosovës synon që deri në fund të vitit të vaksionojë 60 për qind të popullatës.