Pendarovski: Lajm i mirë që presidenca portugeze përfundoi, s’kemi dyshime në mbështetjen e Sllovenisë

Presidenti Stevo Pendarovski ka dënuar gjithashtu deklaratën e sekretares për çështje evropiane të Portugalisë mbi gjuhën dhe kontestin me Bullgarinë. Ana Paula Zakarijash një ditë më parë kishte deklaruar se gjuha e Maqedonisë së Veriut dikur ka qenë pjesë e gjuhës bullgare dhe dimensioneve kulturore të të dy vendeve.
Nga historianët që merren me politikë, më të këqij janë vetëm politikanët që përpiqen të interpretojnë epoka historike. Mua sinqerisht më vjen keq për deklaratën e gabuar të ministres portugeze e cila në thelb i varros të gjitha përpjekjet që kolegu i saj nga qeveria e njëjtë Silva i bëri disa muaj me radhë që në fund të presidencës gjashtëmujore të dalë me një propozim të shkëlqyer të balancuar që mbante llogari për interesat vitale nacionale edhe të Maqedonisë së Veriut, edhe të Bullgarisë. Lajmi i mirë është që presidenca portugeze përfundoi – deklaroi Stevo Pendarovski, president.
Pendarovski shtoi se beson në mbështetjen e Sllovenisë e cila e merr presidencën e BE-së në gjashtë muajt e ardhshëm. Ai tha se Sllovenia është një ndër avokatët më të mirë të rajonit, njeh mirë mentalitetin dhe turbulencat nëpër të cilat kanë kaluar vendet. Këtë koment presidenti e bëri gjatë vizitës zyrtare në Kroaci.
Fatlume Dervishi