Sonte finalja e “Euro 2020”: Itali-Angli

Pas 55 vjetësh pritje Anglia rikthehet për herë të parë që nga titulli botëror i 1966-ës për të matur forcat në finalen e madhe të Kampionatit Evropian, kundër kombëtares së Italisë. Të paktë ka qenë ata që kanë parashikuar në mënyrë të saktë një finale të tillë për edicionin e 16 të kompeticionit më të rëndësishëm të Kontinentit të Vjetër. Sfida finale do të zhvillohet në Londër, në stadiumin e “Uembli”, ku do të ketë vend vetëm për 8 mijë tifoz italian përball tifozerisë vendase, që do të plotësojë deri në fund kapacitetin e lejuar nga UEFA.
Realiteti i çdo ekipi është se asnjëherë nuk do të ketë sërish këto 26 futbollistët. Ata kanë lënë gjurmën e tyre, pa marrë parasysh se çka do të ndodh në finale. Mirëpo tani është koha e medaljeve dhe në jetë ke pak raste të tilla që të shijosh fitoren e finales. Ashtu që ne duhet të kërkojmë atë moment, që të përmirësojmë gjasat tona për arkëtimin e titullit kampion të Evropës – deklaroi Geret Sauthgejt, trajner i Anglisë.
Tradita është në anën e Italisë, që nuk njeh disfatë plot 34 vite përball Anglisë, ndërsa në 8 përballjet e fundit në garat madhore, Italia ka regjistruar 5 fitore, 2 barazime dhe vetëm njëherë ka fituar Anglia, edhe atë në vitin 1977.
Kemi punuar shumë në vitet e fundit dhe jemi të kënaqur , andaj mund të falënderoje futbollistët për atë që kanë arritur deri më tani. Ne ende nuk kemi fituar asgjë dhe nëse sonte triumfojmë, atëherë do të konsiderojmë se kemi bërë diçka. Anglia do të ketë mbështetjen e tërë stadiumit dhe kjo do të na sjell presion. Finalja është një ndeshje tjetër nga sfidat e tjera, andaj duhet të luajmë të fokusuar, por edhe duke u kënaqur, pasi që një finale mund të fitohet vetëm nëse në fushë sjell futbollistët që do të kënaqen në lojën e futbollit – u shpreh Roberto Mançini, trajner i Italisë.
Te Italia do të mungojë për arsye dëmtimi lojtari më i shpejtë i këtij Evropiani, mbrojtësi i majtë Leonardo Spinazola, i cili gjithsesi ka fluturuar drejt Ishullit bashkë me skuadrën, ndërsa Federiko Kieza nuk është 100% në aspektin fizik. Në krahun tjetër Geret Sauthgejt ka probleme fizike vetëm me mesfushorin e Man Sitit, Fil Foden. Ndeshja finale e EURO 2020, do të zhvillohet në stadiumin “Uembli” në orën 21.00, ndërsa do të drejtohet nga arbitri holandez Bjorn Kuipers.
Mahir Thaçi