Kurti: Problemi i Ballkanit, mos-ballafaqimi i Vuçiqit dhe Serbisë me të kaluarën kriminale

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se problemi kryesor në Ballkanin Perëndimor është mosballafaqimi i kreut të Serbisë me të kaluarën. Sipas tij tregu i përbashkët duhet të nënkuptoi demokratizim dhe sundim të ligjit në vendet tona, por që thekson se kjo është e pamundur përderisa Serbia nuk e pranon të kaluarën kriminale.

Ne si Republikë e Kosovës konsiderojmë që problemi kryesor në Ballkanin Perëndimor është mosballafaqimi i kreut të Serbisë me të kaluarën. Përkatësisht me të kaluarën kriminale të Serbisë e cila i shkaktoi katër luftëra në dekadën e fundit të shekullit 20. Tregu i përbashkët duhet patjetër të shoqërohet me ballafaqimin me të kaluarën, me demokratizimin e vendeve tona dhe me sundimin e ligjit. Përndryshe do të kemi më shumë ngjarje që nuk ngelen në kujtesë sesa procese dhe struktura që ndryshojnë për së miri jetën e qytetarëve”, tha Albin Kurti, kryeministër i Kosovës.

Duke komentuar ndryshimin e emrit nga minishengeni në “Ballkan të Hapur”, Kurti tha se nuk është i entuziazmuar nga ky ndryshim, pasi ky emër nënkupton hapje ndaj ndikimeve ruse dhe kineze.

Në veçanti nuk mund të them që jam i entuziazmuar me emërtimin ‘Ballkani i Hapur’ pasi duke qenë aty kreu i Serbisë që nuk ballafaqohet me të kaluarën e shtetit të tij dhe të vetes së tij ‘Ballkani i Hapur’ ngjan më shumë si Ballkan i hapur për ndikimet nga Lindja, sidomos nga Federata Ruse dhe Kina, si dhe Ballkan i Hapur për autokracinë, korrupsionin, kriminelët e luftës, siç e dimë që vazhdojnë të jenë masivisht jo vetëm të lirë në Serbi, por jo pak prej tyre edhe në pushtet”, pohoi Albin Kurti, kryeministër i Kosovës.

Pavarësisht ftesës së kryeministrit shqiptar Rama që edhe vendet e tjera ti bashkëngjiten nismës, Kurti tha se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë janë vëllazërore, pa marr parasysh raporteve të krerëve shtetërorë.

Ditë më parë në Shkup, kryeministri shqiptar Edi Rama, kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev e Presidenti serb Aleksandar Vuçiç gjatë promovimit të “Ballkanit të Hapur” firmosën dy memorandume dhe një marrëveshje ndërshtetërore që kanë për qëllim lehtësimin e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave.

Shkëlzen Aqifi

LEXO EDHE:

Back to top button