KF Prishtina në kërkim të mrekullisë tjetër në Evropë

Skuadra e Prishtinës në futboll, do të kërkojë ta krijojë një epërsi komanduese në ndeshjen e parë të rrethit të tretë kualifikues në Ligës së Konferencës, kur të përballet me Bodo/Glimt në kryeqytetin e Kosovës. Ndeshja e kthimit zhvillohet pas një jave në Norvegji dhe fituesi kalon në play-off, i cili është rrethi i fundit që siguron pjesëmarrjen në fazën grupore të garës së kategorisë së tretë në futbollin evropian.
Prishtina do ta shkruante historinë nëse e arrin play-off’in duke u bërë klubi i parë kosovar që arrin kaq larg në kualifikime për një garë evropiane.
“Skuadra kundërshtare është shumë e disiplinuar dhe taktikisht e fortë, neve kemi marrë mësim nga takimi i fundit në Uells dhe e dimë mirë se çfarë rëndësie ka secila ndeshje në këtë nivel garash, ne gjithashtu presim mbështetjen maksimale nga tifozët tanë të flaktë ‘Plisat’, të cilët sigurisht do të jenë të pranishëm në numër të madh”, tha mes tjerash trajneri Zekirja Ramadani.
Prishtina përfundoi në kualifikime për Ligën e KOnferencës, pasi pësoi disfatë qysh në ndeshjen e parë kualifikuese për garën më prestigjioze evropiane, Ligën e Kampionëve.