Toka vazhdon të mbetet nën pushtetin e flakëve

Si rrallëherë në historinë e saj, Toka është e përfshirë mes flakëve. Zjarret e shumta e kanë përfshirë të gjithë rruzullin. Këto janë pamjet dramatike nga hapësira, të publikuara nga agjencia hapësinore, NASA. Shënimet me ngjyrë të kuqe tregojnë vendet ku ka vatra aktive zjarresh. Flakët kanë pushtuar Evropën Jugore, Amerikën e Jugut dhe të Veriut, pjesën më të madhe të Afrikës së Jugut dhe Australinë. Jugu i Evropës po përjeton aktualisht një situatë shumë kritike, ku zjarre të fuqishëm kanë përfshirë Italinë, Greqinë, Spanjën, Maqedoninë e Veriut e Turqinë.
Mesdheu, i goditur nga zjarret e pashembullta në Greqi dhe Turqi, do të preket sërish nga valët e të nxehtit, thatësira dhe zjarret, shumë më keq me ngrohjen globale, sipas një raporti paraprak të OKB-së. Athina është duke vuajtur pasojat e tmerrshme të zjarreve që po shkatërrojnë me qindra shtëpi, dhjetëra fabrika dhe biznese, një numër shumë të madh automjetesh si dhe kanë bllokuar edhe autostrada. Një zjarrfikës vullnetar humbi jetën nga flakët. Mbrëmjen e së premtes situata u bë edhe më e rrezikshme. Disa zona në periferi të Athinës janë evakuuar, teksa zjarret kanë dalë jashtë kontrollit.
Me flakët luftojnë edhe vendet e tjera fqinje, përfshirë edhe Shqipëria ku vatrat e zjarreve mbeten aktive edhe këtë të shtunë paradite. Sipas informacioneve zyrtare nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë, flakët janë shuar në pjesën më të madhe të Gadishullit të Karaburunit, por sot në mëngjes është riaktivizuar një vatër intensive në malin e Dukatit, e cila ishte e shuar pak ditë më parë. Gjatë natës ka patur një vatër të re në Gjirin e Gramës. Ndërkohë sipas Ministrisë së Mbrojtjes zjarri në fshatin Livadhja të Bashkisë Finiq po mbahet nën kontroll për të shmangur rrezikun e banesave. Zjarre të tjera janë aktive në veri të vendit, në Fier, në Kukës, në Tropojës, në Vermosh dhe në Mirditë.
Italia vijon ‘luftën’ me vatrat e zjarrit, ndërsa meteorologët kanë parashikuar temperatura jashtëzakonisht të larta për ditët në vazhdim. Sipas mediave të huaja, më kritike paraqitet situata në Sicili ku janë shënuar dy viktima, dhjetëra familje janë zhvendosur, ndërsa autoritetet kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme.
Një thatësirë afatgjatë për të cilën shkencëtarët thonë se është nxitur nga ndryshimet klimatike i ka bërë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të prekshme nga zjarret shpërthyese dhe shumë shkatërruese. Një zjarr që përfshiu Kaliforninë veriore u bë i treti më i madh në historinë e shtetit dhe duket se do të vazhdojë të rritet. Zjarri Dixie, ka djegur sipërfaqe të tëra që kur shpërtheu në mes të korrikut. Një nga banorët e zonës e krahasoi zjarrin me një përbindësh.
Fatlume Dervishi