Kosova dhe Shqipëria në pritje të refugjatëve afganë

Shqipëria ende është duke pritur kontingjentin e parë me 300 shtetas afganë që do të strehohen në shtetin fqinj. Fluturimi për transportimin e të njëjtëve duhet të realizohej një ditë më parë rreth orës 17, por diçka e tillë nuk ka ndodhur. Askush nuk ka plasuar informacione konkrete, por si arsye kryesore përmendet gjendja kaotike në aeroportin “Hamid Karzai”, në Kabul, perimetri i të cilit është rrethuar nga postblloqe të ngritura nga talIbanët. Një zyrtar i shtetit shqiptar ka thënë për mediat në Shqipëri se sot pritet të realizohet një fluturim, por duke shtuar se asgjë s’ është e sigurtë.
Në pritje të refugjatëve afganë është edhe Kosova, por se kur do të mbërrijë kontingjenti i parë, ashtu si edhe në Shqipëri, ende nuk dihet. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë të dhënë për BBC tha se situata e krijuar në Afganistan i kujton periudhën kur vet shtetasit e Kosovës u larguan nga shtëpitë e tyre për të shpëtuar nga ushtria serbe.
Janë skena që ta thyejnë zemrën. Ne jemi të gatshëm dhe e treguam këtë gatishmëri pa hezitim. Numri i saktë është ende duke u diskutuar, por ne s’mund të jemi vendi që i themi jo këtyre refugjatëve, të këtyre njerëzve në nevojë kur ne kemi hapësirën dhe sa më shumë hapësirë që kemi do ta shfrytëzojmë atë për t’i strehuar ata”, tha Vjosa Osmani, presidente e Kosovës.
Në Francë kanë mbërritur 200 refugjatët e parë afganë. Shtete evropiane me politika të ndryshme rreth strehimit të shtetasve afganë. Disa janë të gatshëm të pranojnë vetëm bashkëpunëtorët e NATO-s, SHBA-ve dhe organizatave ndërkombëtare, por jo edhe shtetas të tjerë afganë. Ministrat e Brendshëm të BE kërkojnë samit të jashtëzakonshëm lidhur këtë çështje. Austria me qëndrim për refuzim total të pranimit të afganëve. Me qëndrim të njëjtë edhe Greqia. Qeveria spanjolle do t’u ofrojë qëndrim të përkohshëm vetëm atyre që kanë bashkëpunuar me Perëndimin dhe duhet të evakuohen për arsye humanitare. Edhe Holanda ka ofruar strehim vetëm për ata që kanë dhënë kontributin e tyre në ruajtjen e paqes gjatë këtyre 20 viteve. Fluturimi i parë i Holandës për evakuimin u desh të ndërpritej për shkak të kushteve kaotike në aeroportin e Kabulit. Kryeministri i Italisë ende nuk është prononcuar, ndërsa dhe Gjermania ende nuk është e qartë.
Sot Talibanët kanë festuar Ditën e Pavarësisë së Afganistanit duke shpallur fitoren mbi SHBA -në, të cilën ata e përshkruan si një “forcë të fuqishme dhe arrogante”.
Zëvendës sekretarja amerikane e shtetit, Ëendy Sherman tha se talibanët po veprojnë në kundërshtim me deklaratat e tyre publike dhe angazhimet e tyre ndaj qeverisë amerikane, duke penguar shtetasit afganë të hyrjnë në aeroportin e Kabulit.
Ekipi ynë në Doha dhe partnerët tanë ushtarak që ndodhen në territorin e Kabulit janë angazhuar për komunikim të drejtpërdrejtë me Talibanët, për t’ua bërë të qartë se ne presim prej tyre që t’i lejojnë të gjithë qytetarët amerikan, të gjithë shtetasit e vendeve të treta dhe të gjithë afganët që dëshirojnë të largohen, të bëjnë diçka të tillë në mënyrë të sigurtë dhe pa shqetësim”, tha Uendi Sherman, zv/sekretare e SHBA-ve.
Forcat amerikane do të qëndrojnë në Afganistan derisa të gjithë qytetarët e Shteteve të Bashkuara të largohen nga ai vend, edhe nëse kjo nënkupton qëndrimin edhe pas afatit të fundit të 31 gushtit tha presidenti Joe Biden në një intervistë për rrjetin amerikan ABC Neës.
Dymbëdhjetë persona janë vrarë brenda dhe përreth aeroportit që nga e diela, ndërsa rreth tetë mijë njerëz deri tani janë larguar nga Afganistani.
Evi Shkopi