“Kovid-19”, KSI nuk ka parashikuar masa kufizuese shtesë

Rritja e rasteve pozitive me Kovid tek fëmijët nuk ka alarmuar autoritetet për vendosjen e masave shtesë. Komisioni për sëmundje ngjitëse ka konstatuar se për momentin nuk ka nevojë për masa të reja bazuar në pasqyrën epidemiologjike. ALSAT drejtoi pyetje deri në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale nëse do të propozojë deri te KSI që të mbyllen këndet e lojërave për fëmijë si masë për parandalimin e përhapjes më të madhe të rasteve me Kovid. Nga kjo ministri thanë se janë pa kompetenca në këtë drejtim.
Ne nuk kemi kompetenca për marrjen e masave, por as nuk mundemi të propozojmë masa shtesë. Vendosja e masave shtesë është kompetencë e Komisionit për Sëmundje ngjitëse i cili vlerëson nëse ka nevojë për një gjë të tillë – njoftojnë nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale.
Në Klinikën e Pediatrisë në Shkup ka të shtrirë 30 fëmijë pozitiv, 10 raste më shumë nga dita e djeshme. Mëngjesin e sotëm kjo Klinikë ka hapur edhe dy kate të tjera për pranimin e fëmijëve me Kovid meqë hapësirat e deritanishme nuk kanë qenë të mjaftueshme.
Është më e mira që prindërit të dalin me fëmijët në ambiente të hapura, nëpër vende ku ka më shumë drunjë ku nuk ka shumë prekje fëmija me fëmiun, sepse fëmijët duan që të shoqërohen por duhet durim, do të jetë më lehtë për ne nga gjithë kjo situatë. Nëse nuk kujdesemi përsëri do përhapet edhe më shumë, do shkojë situata edhe më keq – tha Azpasija Sofijanova, Drejtoreshë e Klinikës së Fëmijëve, Shkup.
17 fëmijë të regjistruar në kopshte, nga 19 shtatori e deri më sot kanë rezultuar pozitiv me Kovid si dhe 50 të punësuar në çerdhe.
Në izolim për momentin janë gjithsej 1245 fëmijë të cilët shkojnë në çerdhe si dhe 165 persona të cilët punojnë në këto institucionet përkujdesje për fëmijë.
Vjollca Aliti