A do të fiken dritat në Qendrën Klinike Universitare?
A do të fiken dritat në Qendrën Klinike Universitare?

Gazetar: Adnan Qaili
Kriza energjetike do të fik dritat e Qendrës Klinike Universitare “Nënë Tereza në Shkup”.
Si masë për kursim të rrymës gjatë dimrit paralajmërohet që ndriçimi publik në kampus si dhe i objekteve ndihmëse do të shkyçen, me idenë që do të kursejnë 5% të rrymës, shkruan Alsat.
Përkundër kësaj Qendra Klinike Universitare mbetet ndër institucionet më harxhuese të energjisë elektrike.
Sipas ligjit për furnizim me energji elektrike, spitalet dhe klinikat si objekte të posaçme shëndetësore, janë ndër konsumatorët të cilëve përkundër borxhit nuk guxon tu ndërpritet furnizimi me energji.
Sipas Ministrit të Shëndetësisë Bekim Sali kriza energjetike nuk do të pengoj shërbimet shëndetësore, por sërish do të adresohen tek Qeveria për shlyerjen e borxheve nga papërgjegjësia e deritanishme.
“Sipas historikut rishikohen tri vitet e fundit siç janë rritur borxhet dhe vërejmë një trend normal të rritjes së borxheve dhe Qeveria, Fondi dhe Ministria e kanë parasysh që kjo do të rritet me dinamikën e njëjtë.
Por, shëndetësia do të funksionoj njësoj siç ka funksionuar këto 30 vitet e fundit në këtë shtet dhe nuk do të ballafaqohemi me mungesë të rrymës apo ngrohjes”, tha Bekim Sali, Ministër i Shëndetësisë.
Përderisa këto borxhet vështirësojnë furnizimet me materiale medicinale, shëndetësia publike së fundmi po bëhen “mbahet” edhe nga donacionet.
Klinikës Pulmologjisë iu dhanë 12 koncentrator oksigjeni për terapi të organeve të frymëmarrjes nga pasojat post-kovid. Por, drejtori Dokiç tha se nuk po mund ti hapin sytë nga borxhet e Klinikës, ku dhe faturat e rrymës i paguajnë në mënyrë paushallë ndaj Qendrës.
“Në një mënyrë ndjehem i obliguar të negocioj për të siguruar mjete shtesë siç na premtuan. Këtu duhet të na ndihmojnë gjitha institucionet sepse bëhet fjalë për shëndetin dhe jetën e pacientëve. Po në borxh është Klinika, faturat e rrymës janë të përgjithësuara ngaqë i gjithë objekti i Klinikave Interne kemi një orëmatës të përbashkët, andaj nuk mund të ju them sa është borxhi veçmas i Pulmologjisë”, u shpreh Dejan Dokiç, Drejtor i Klinikës së Pulmologjisë.
Sipas të dhënave të operatoreve për furnizim ndër borxhlinjtë më të mëdhenj janë spitalet shtetërore me gjithsej 7.6 milionë euro borxh, nga të cilat 6.5 milionë nga 12 muajt e fundit, ndërsa debitori më i madh është Qendra Klinike Universitare “Nënë Tereza”, e cila përbën gati 90% të faturave të papaguara./ Alsat.mk