A duket në horizont një plan për t’i dhënë fund pushtimit rus të Ukrainës?
A duket në horizont një plan për t'i dhënë fund pushtimit rus të Ukrainës?

Gazetar: Lluka Andreev
Ukrainasit kanë vënë në tryezë një propozim-marrëveshje, dhe nëse kjo është e pranueshme për rusët do të pritet mendimi i Putinit.
Pas takimit të dy delegacioneve, përfaqësuesi ukrainas David Arahamija informoi se më e rëndësishme për Kievin është arritja e pajtueshmërisë për garancitë e sigurisë për Ukrainën në rast se dikush e sulmon atë, ngjashëm me nenin 5 të marrëveshjes së mbrojtjes së NATO-s.
Sipas Arahamias, garanci për sigurinë e vendit mund të jepen nga Britania e Madhe, Kina, Rusia, SHBA, Izraeli… Megjithatë, ukrainasit duhet ta votojnë këtë çështje në referendum dhe që të organizohet i njëjti fillimisht kërkohet tërheqja e trupave ruse.
“Çështja kyçe është marrëveshja ndërkombëtare për garancitë e sigurisë së Ukrainës, dhe vetëm me një marrëveshje të tillë mund ta ndalojmë luftën në mënyrën që i nevojitet Ukrainës”, tha Mihajlo Podoljak – negociator ukrainas.
Negociatori rus Medinski tha se takimi ishte konstruktiv dhe se nëse Moska miratonte propozimin, nuk përjashtohet një takim Putin-Zelenski.
“Nëse punohet shpejt me propozim -marrëveshjen dhe gjendet një kompromis, mundësia e arritjes së paqes do të bëhet më e afërt”, u shpreh Vladimir Medinski – negociator rus.
Takimi treorësh u zhvillua në Stamboll dhe në fillim të bisedimeve presidenti turk Erdogan u tha dy delegacioneve që të arrinin rezultate konkrete.
“Sigurisht që jemi të vetëdijshëm që në bisedat tuaja fokusi është në tema të vështira dhe të ndërlikuara. Por është e sigurt se propozimet në tryezë dhe marrëveshja që do të arrihet do të vendosin themelet për paqe të qëndrueshme në të ardhmen”, theksoi Rexhep Tajip Erdogan- president i Turqisë.
Oligarku rus Roman Abramoviç mund të shihej në rreshtat e parë të sallës në rezidencën e Erdoganit pranë Bosforit. Megjithëse sanksionet e para ishin kundër tij, presidenti ukrainas Zelenski tha se sanksionet kundër tij nuk ishin të nevojshme sepse ai kishte ndihmuar në negociata. Kremlini ka mohuar akuzat se qëndron pas helmimit të mundshëm të Abramoviçit dhe dy negociatorë ukrainas që kanë pasur simptoma helmimi.
“Unë këshilloj këdo që merr pjesë në negociatat me Federatën Ruse të mos hajë apo pijë asgjë dhe nëse është e mundur t’i shmang prekjet e sipërfaqeve”, u shpreh Dimitro Kuleba – ministër i Punëve të Jashtme të Ukrainës.
Bisedimet vazhdojnë të mërkurën./ Alsat.mk