A e dini se Google regjistron gjithçka që thoni? Ja se si ta çaktivizoni atë opsion
A e dini se Google regjistron gjithçka që thoni? Ja se si ta çaktivizoni atë opsion

Gjigandi i teknologjisë Google, shërbimet e të cilit përdoren nga miliarda njerëz në mbarë botën, ka një opsion që e lejon atë të regjistrojë në heshtje zërat e përdoruesve dhe t’i ruajë ato për qëllime të tjera. Google ruan audion e aktivitetit të përdoruesve në internet dhe në aplikacione, duke përfshirë ndërveprimet verbale me kërkimin, asistentët dhe hartat për të përmirësuar teknologjitë e njohjes së zërit.
Por kohët e fundit një ekspert i teknologjisë zbuloi një kod që ai pretendon se mund të parandalojë Google që të regjistrojë aktivitetet e përdoruesve të smartfonëve. Përdoruesit duhet të zgjedhin cilësimet e duhura te “Të dhënat dhe privatësia” për të bllokuar hyrjen në mikrofon dhe kamerë.
Sipërmarrësi i teknologjisë Jeffrey Castillo ndau një këshillë me përdoruesit në llogarinë e tij në Instagram duke shpjeguar se si mund ta çaktivizojnë funksionin. Domethënë, duhet të hapni aplikacionin Google dhe të klikoni në “Menaxho llogarinë tënde të Google”. Më pas zgjidhni “Të dhënat dhe privatësia” dhe lëvizni poshtë te “Cilësimet e historisë” dhe zgjidhni seksionin “Aktiviteti i uebit dhe i aplikacioneve”.
Pasi të klikoni këtu, duhet të vini re një shenjë blu pranë seksionit “Aktivizo aktivitetet zanore dhe audio”. Për të ndaluar “dëgjimin” e Google, është e nevojshme të anuloni këtë opsion, domethënë të hiqni shenjën.
– Kur ky cilësim i aktivitetit zanor dhe audio është i çaktivizuar, regjistrimet audio të ndërveprimeve zanore me kërkimin, asistentin dhe hartat nuk do të ruhen në profilin tënd të Google, edhe nëse je i identifikuar. Nëse e çaktivizon këtë cilësim për aktivitetin zanor dhe audio, tingulli i ruajtur më parë nuk fshihet – shpjegon Google.
Google pretendon se regjistron vetëm fragmente të shkurtra të bisedave për t’i përdorur për të njohur komandat zanore dhe për të dhënë përgjigje. Pavarësisht pretendimeve të Google, si dhe kompanive të tjera të teknologjisë si Amazon dhe Apple, se asistentët e tyre si Alexa dhe Siri dëgjojnë vetëm komandat, ka ende shqetësime të mëdha për sigurinë e përdoruesve.