A është furça e dhëmbëve një terren i favorshëm për infeksione?
Dushet e nxehta nuk pëlqehen vetëm nga njerëzit, por edhe nga viruset. Një studim u botua së fundmi në revistën shkencore "Frontiers in Microbiomes", sipas të cilit, për shembull, një komunitet i tërë virusesh jeton në dushin tonë.

Dhe jo vetëm atje. Sipërfaqet në banjë janë të mbuluara me një shtresë biologjike që është e mbushur me jetë. Ekipi hulumtues gjeti më shumë se 600 lloje virusesh në kokat e dushit ose furçat e dhëmbëve në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara.
Bota e gjallë e banjës
Erica Hartman nga Universiteti Northwestern drejtoi kërkimin mikrobiologjik mbi projektin. Ajo thotë se është e mahnitshme ajo që gjeti ekipi, veçanërisht viruset për të cilët dihet pak ose që njerëzit nuk i kanë parë kurrë më parë:
“Është e mahnitshme se sa biodiversitet i pashfrytëzuar ka rreth nesh – pikërisht nën hundët tona”, thotë Hartmann.
Ekipi i saj zbuloi se shumica e njerëzve në Shtetet e Bashkuara kalojnë dy të tretat e jetës së tyre në një shtëpi ose apartament. Prandaj, shkencëtarët thonë se është mirë që njerëzit të zbulojnë se me çfarë po jetojnë.
Për analizën, shkencëtarët përdorën të dhëna nga një anketë e mëparshme, në të cilën u mblodhën mostra nga familjet. U zbulua se përbërja e mikrobeve varet nga vendi ku është marrë kampioni. Shumëllojshmëria e organizmave ishte aq e madhe sa nuk kishte dy bashkësi dush të ngjashme. E njëjta gjë vlen edhe për furçat e dhëmbëve.
Ka shumë viruse që kërkojnë një organizëm tjetër si bujtës të cilit më pas i shkaktojnë dëm. Viruse të tilla shkaktojnë sëmundje të ndryshme te kafshët dhe njerëzit. Por studimi zbuloi se jo të gjithë viruset sillen në këtë mënyrë. Ata banojnë në mjedise krejtësisht të ndryshme dhe formojnë bashkësi komplekse. Jo të gjithë viruset janë të dëmshëm – përkundrazi, disa mund t’i shërbejnë shkencës.
Viruset e identifikuara nga ekipi i përkasin një lloji të të ashtuquajturit bakteriofag, ose thjesht fag. Ato nuk janë të rrezikshme për njerëzit, por mund të infektojnë bakteret. Duke pasur parasysh se rezistenca bakteriale ndaj antibiotikëve në përgjithësi po rritet, organizma të tillë si bakterofagët mund të përdoren për të trajtuar infeksionet bakteriale.
Por ato mund të përdoren edhe si agjentë pastrimi. Hartmann thotë se përdorimi i rëndë i pastruesve kimikë rrit mundësinë që bakteret të zhvillojnë rezistencë ndaj tyre.
“Ne duhet t’i pranojmë të gjithë.” Mikrobet janë kudo dhe ne nuk sëmuremi nga shumica dërrmuese”, thotë Hartmann.
Bakteret ose viruset në banjë – ndryshim i madh
Jeta lulëzon në një mjedis të lagësht. Nuk është rastësi që shkencëtarët, duke kërkuar jetën në hapësirë, së pari kërkojnë ujë. Sipërfaqet e lagura në banjë nuk janë vetëm habitate për viruset, por edhe për bakteret dhe kërpudhat.
Ky ekip shkencëtarësh është marrë me këtë temë para këtij hulumtimi. Ai hulumtoi nëse bakteret pas aktivizimit të cisternës në tualet, në formë aerosoli, zbarkojnë edhe në furçën e dhëmbëve. Ata zbuluan se shumica e baktereve në furçë dhëmbësh vijnë nga përdoruesi, domethënë jetojnë në trupin e tij.
Në vitin 2018, një studim zbuloi se pneumonia bakteriale ishte më e zakonshme në Shtetet e Bashkuara, ku kokat e dushit strehonin lloje të veçanta bakteresh.
Dhe sipas studimit të fundit, është pikërisht bakteriofagu në banjë që sulmon baktere të tilla të dëmshme.
“Mund të imagjinohet që përmes përdorimit të matur të bakteriofagëve ne mund t’i largojmë këta agjentë që shkaktojnë sëmundje nga sistemi sanitar,” thotë Hartmann.
Ajo shton se ekipi gjithashtu dëshiron të studiojë të gjitha funksionet e virusit dhe të zbulojë se ku mund të jenë të dobishëm.