A janë të ndaluara pilulat e abortit në SHBA?

A janë të ndaluara pilulat e abortit në SHBA?

Pas vendimit të Gjykatës Supreme, më 24 qershor, për heqjen e të drejtës për abort në Shtetet e Bashkuara, tani pritet të rritet kërkesa për pilula të abortit. E drejta për abort, e njohur si Roe v. Wade, është zbatuar në SHBA për gati 50 vite, shkruajnë mediat e huaja.

Megjithatë, aborti përmes ilaçeve nuk do të mund të jetë mundësi për të gjitha gratë në SHBA

Si kryhet aborti me ilaçe?

Për të kryer abort me ilaçe, pacientja merr ilaçin e quajtur mifepristone, të njohur edhe si RU-486, i kombinuar me një ilaç të dytë, misoprostol, për t’i dhënë fund shtatzënisë, dhe që t’i shmanget procedurës kirurgjikale.

Rreth gjysma e aborteve në Shtetet e Bashkuara kryhen përmes ilaçeve, sipas Institutit Guttmacher, një grup kërkimor për mbrojtjen e të drejtave të abortit. Administrata amerikane për Ushqim dhe Ilaçe (FDA) ka miratuar ilaçin mifepristone në vitin 2000, ndonëse deri vonë, ky institucion ka detyruar pacientet që ta marrin ilaçet me rekomandim nga mjeku.

Pas heqjes së këtyre kufizimeve gjatë pandemisë së koronavirusit, agjencia ka marrë vendim për shfuqizim të plotë të vendimit, i cili parashikonte që një paciente të ishte prezente për të marrë ilaçet. Me vendimin e ri, gratë mund të konsultohen me mjekë edhe përmes platformave elektronike, apo që t’i marrin ilaçet përmes postës.

Ky vendim ka rritur qasjen në abort për pacientet që jetojnë në zonat e largëta, apo të cilat nuk kanë pasur mundësi që të marrin leje nga puna për të shkuar nëpër klinika.

Ilaçet janë të miratuara për përdorim deri në javën e 10-të të shtatzënisë.

A e ndalojnë disa shtete abortin përmes ilaçeve?

Po. Aborti përmes ilaçeve është bërë shënjestër e politikanëve dhe aktivistëve kundër abortit. Shteti i Indianas ndalon abortin me ilaçe në javën e 10-të të shtatzënisë, ndërsa Teksasi pas javës së shtatë.

Ndalesat e shteteve tjera për këtë lloj aborti janë bllokuar nga gjykatat. Tridhjetë e dy shtete autorizojnë abortin vetëm me miratim nga mjekët, dhe jo infermierët apo punëtorët tjerë shëndetësorë, sipas Institutit Guttmacher, raporton abcnews.al.

19 shtete kërkojnë që mjeku që përshkruan ilaçin të takohet fizikisht me pacienten, duke i ndaluar konsultimet elektronike.

Çfarë ndikimi ka vendimi i Gjykatës Supreme?

13 shtete brenda SHBA-së kanë ligje që kërkojnë zbatim të menjëhershëm të vendimit të Gjykatës Supreme për abortin. Instituti Guttmacher parasheh që të paktën 26 shtete – duke përfshirë ato që zbatojnë me automatizëm vendimin e Gjykatës Supreme të miratojnë ligje të reja për abortin.

Ligjet e tilla deri më tani nuk kanë bërë dallime mes abortit kirurgjikal dhe abortit përmes ilaçeve, prandaj pritet që shtetet të ndalojnë të gjitha llojet e abortit. Disa shtete pritet që të ndalojnë abortin plotësisht, të tjerat ta bëjnë këtë procedurë të paligjshme mes javës së gjashtë deri në javën e 15-të.

A mund të marrë një paciente ilaçet e abortit nga një shtet tjetër brenda SHBA-së?

Varet.

Ekspertët ligjorë besojnë që një punonjës shëndetësor shkel ligjin nëse përshkruan rekomandimet e ilaçit përmes telefonit, e cila jeton në një shtet tjetër brenda SHBA-së ku aborti është i paligjshëm.

“Ligjet për konsultime telefonike me mjekët thonë se vendndodhja e pacienteve përcakton gjithçka”, ka thënë Amanda Allen nga Laëyering Project, organizatë që përfaqëson ofruesit e abortit.

Kjo pasi mjekët mund të humbin licencat e punës apo edhe të përballen me padi penale, ka thënë ajo. Një grua e cila jeton në një shtet ku aborti është i paligjshëm, mund të udhëtojë në një shtet ku kjo procedurë është e ligjshme, të kontaktojë mjekun përmes telefonit dhe të marrë ilaçet në një adresë brenda atij shteti.

“Në disa raste, kjo procedurë është më pak e lodhshme dhe më e lirë, sesa të udhëtosh për të takuar mjekun personalisht në një klinikë, duke theksuar se pacientet që udhëtojnë në klinika të shteteve tjera, janë përballur me vonesa ndonjëherë edhe me javë.

LEXO EDHE:

Back to top button