A mund të zgjasin disa vaksina më shumë se tjerat? Tetë pyetje dhe përgjigje në lidhje me dozën e tretë

Shkencëtarët kanë shumë pyetje në lidhje me mundësinë për të marrë një dozë të mëvonshme përforcuese të vaksinave kundër Covid-19 , por aktualisht nuk kanë shumë përgjigje.

Megjithëse shumë shkencëtarë në SHBA vlerësojnë se vaksinat ( Pfizer / BioNTech, Moderna, Johnson & Johnson)  do të zgjasin për të paktën një vit, për sa i përket mbrojtjes që ata ofrojnë kundër koronavirusit, por askush ende mund të jetë i sigurt se do të jetë kështu.

Gjithashtu është e paqartë nëse  variantet e reja të virusit, të cilat vazhdimisht shfaqen në të gjithë botën, do të sjellin nevoja të reja në programin e vaksinimit.

New York Times përmblodhi në tetë pyetje dhe përgjigje ato që dimë deri më tani për këtë çështje:

1. Pse duhet të marrim vaksinën e gripit çdo vit, por nga ana tjetër  dy doza të vaksinës  së fruthit në fëmijëri janë të mjaftueshme për të na mbrojtur për gjithë jetën?

Patogjenë të ndryshëm ndikojnë në sistemin tonë imunitar në mënyra të ndryshme. Për sëmundje të tilla si fruthi,  nëse e kalon një herë në jetë , trupi krijon antitrupa dhe të çon në imunitet natyral për tërë jetën. Por për sëmundjet e tjera (p.sh. tetanozi) mbrojtja e trupit dobësohet me kalimin e kohës dhe në mënyrë periodike ka nevojë për doza përforcuese  të vaksinave (në rastin e tetanozit çdo dekadë). Përveç kësaj, disa viruse, të tilla si gripi, ndryshojnë shpejt vetvetiu, kështu që ata kërkojnë një vaksinë të re çdo vit.

2. Si krahasohen vaksinat Covid-19 me vaksinat tjera, për sa i përket mbrojtjes?

Nuk mund të jemi të sigurt, pasi njerëzit filluan vaksinimin masiv kundër koronavirusit vetëm disa muaj më parë. Edhe provat e tyre të mëparshme klinike nuk mund të tregonin se cila do të ishte mbrojtja imune një vit më vonë. Sidoqoftë, shenjat e para janë inkurajuese, pasi -sipas studimeve të deritanishme- nivelet e antitrupave anti-koronavirus duket se bien ngadalë, kështu që imuniteti i vaksinës mund të mbetet i fortë për një kohë të gjatë (ende nuk dihet sa). Ata që u infektuan me virusin dhe më pas morën vaksinën, mund të kenë mbrojtje më afatgjatë, ndoshta për vite me radhë, por kjo duhet të konfirmohet.

3. A mund të zgjasin disa vaksina Covid-19 më shumë se tjerat?

Ndoshta shkencëtarët tashmë kanë zbuluar se vaksinat e mARN (Pfizer / BioNTech dhe Moderna) janë pak më efektive sesa vaksinat më tradicionale të bazuara në virus të inaktivuara. Sidoqoftë, vaksinat e mRNA -së janë relativisht të reja dhe për këtë arsye kohëzgjatja e mbrojtjes së tyre nuk është studiuar në planin afatgjatë. Sidoqoftë, është e mundur që mbrojtja ndaj vaksinave më pak efektive të zgjasë edhe më pak.

4. Si do ta kuptojmë që vaksina Covid-19 ka humbur efektivitetin?

Shkencëtarët po kërkojnë – përmes studimeve të vazhdueshme – për biomarkerë që do të zbulojnë kur mbrojtja imune pas një vaksine nuk do të jetë më e mjaftueshme për të “frenuar” koronavirusin. Ndoshta një nivel i caktuar antitrupave në gjak do të jetë “pragu” nën të cilin një person i vaksinuar do të rrezikojë të infektohet dhe të sëmuret përsëri me Covid-19.

5. Po në lidhje me variantet dhe mutacionet?

Ndoshta do të na duhen doza përforcuese për të bllokuar variantet e reja zakonisht më ngjitëse të koronavirusit, por kjo nuk është ende e qartë. Sidoqoftë, shfaqja e varianteve të reja ka përshpejtuar studimet përkatëse mbi dozat përforcuese. Shkencëtarët nuk mund të përjashtojnë që në muajt e ardhshëm të shfaqen variante të reja me rezistencë më të madhe ndaj vaksinave ekzistuese.

6. A do të na duhet një dozë e veçantë përforcuese për një variant specifik?

Ende mbetet e paqartë. Disa shkencëtarë dyshojnë se një reagim i fortë imunitar i organizmit ndaj variantit origjinal (“kinez”) të koronavirusit do të sigurojë mbrojtje të përshtatshme kundër varianteve pasuese. Nga ana tjetër, është gjithashtu e mundur që një vaksinë e krijuar posaçërisht kundër një varianti të veçantë të jetë më efektive. Pfizer ka filluar testimin e të dy rasteve: disa vullnetarë të cilët tashmë janë vaksinuar plotësisht do të marrin një dozë të tretë të së njëjtës vaksinë, ndërsa vullnetarët e tjerë do të marrin një vaksinë më të re eksperimentale kundër variantit Beta (“Afrika e Jugut”).

7. A mund ta ndryshoj  markën e vaksinës kur  të marr një dozë  tjetër përforcuese?

Ndoshta. Kërkimet për  sëmundjet e mëparshme kanë treguar se përzierja e vaksinave të ndryshme mund të rrisë mbrojtjen. Studimet e kombinimit të vaksinave Covid-19 janë duke vazhduar dhe do të konfirmojnë nëse e njëjta gjë vlen për koronavirusin.

8. Çfarë ndodh me personat që nuk kanë marrë ende dozën e parë?

Duhet të marrin në konsideratë opsionin se do marrin tri dhe jo dy doza.

LEXO EDHE:

Back to top button