Ademi dhe Duka urojnë Kosovën për 18-vjetorin e Pavarësisë
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka përmes një postimi në rrjetet sociale vlerësoi sakrificën dhe përkushtimin e atyre që luftuan për lirinë e Kosovës,
“Për ata që besuan me zemër, për ata që sakrifikuan me shpirt, dhe për Kosovën që sot jeton e lirë. Me këtë foto nga një moment i veçantë me mikun tim Agim Ademi, i uroj të gjithë shqiptarëve festën e Pavarësisë së Kosovës”, ka shkruar Duka.
Ndërkohë, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, theksoi rëndësinë historike të 17 shkurtit 2008 si gurthemeli i shtetësisë së Kosovës dhe reflektuan mbi zhvillimin e futbollit gjatë këtyre 18 viteve:
“17 Shkurti 2008 mbetet akti më i madh politik e kombëtar, i paraprirë nga dekada sakrificash dhe përpjekjesh të pandalshme për liri e pavarësi. Këto 18 vite ishin vite të ndërtimit të institucioneve, forcimit të demokracisë dhe afirmimit tonë në botë. Bashkë me shtetin, ka rritur edhe futbolli ynë, i cili është shndërruar në një nga zërat më të fuqishëm të promovimit të shtetësisë sonë”.
Ademi gjithashtu theksoi përpjekjet e Federatës për të nxitur talentet e reja, për të investuar në infrastrukturë sportive dhe për të krijuar mundësi që çdo fëmijë të ndërtojë karakterin, disiplinën dhe ndjenjën e lartë të atdhedashurisë përmes futbollit.
“Obligimi ynë për të ardhmen është i qartë: të forcojmë bazat e zhvillimit, të investojmë në stadiume moderne, në akademi dhe në edukimin sportiv të gjeneratave të reja. Në këtë 18-vjetor duam të realizojmë ëndrrën tonë të madhe: kualifikimin në Kupën e Botës 2026. Ky nuk është një mision i lehtë, por ne do të vazhdojmë të punojmë e të besojmë në këtë objektiv”, ka shkruar Ademi
Në mesazhet e tyre, të dy udhëheqësit e federatave shprehën respekt të thellë për dëshmorët dhe sakrificat që kanë mundësuar lirinë e Kosovës .







