Adili: Me Partizanin, nuk është finale për titull

Skuadra e Vllaznisë përballet me Partizanin, në një ndeshje që vlen shumë në betejën për titull për të dy ekipet. Mbrojtësi Mevlan Adili, ka folur për gjendjen e Vllaznisë, rivalët, por edhe Partizanin, ku mes të tjerash ai e vlerëson skuadrën e drejtuar nga Ilir Daja.
“E dimë se Partizani është ndër ekipet më të mira, është ekip me lojtarë shumë të mirë, kanë karakter, por ne duhet të fokusohemi në lojën tonë dhe të marrim pike. Ata kanë sulmin më të mirë, por mos harroni se ne kemi mbrojtjen më të mirë. Në repartin e mbrojtjes ka pasur ndryshime, por janë të mirëseardhura. Lojtarët kanë treguar veten dhe nuk kemi pasur probleme. Në repartet e tjera na kanë ndikuar mungesat.Kjo është një sfidë e rëndësishme ndaj një rivali direkt. Ne luajmë edhe për dy rezultate. Barazimi vlen 3 pikë për ne në këtë ndeshje, ndërsa fitorja ndaj Partizanit vlen 6 pikë”.
Adili beson se sfida mes Vllaznisë dhe Partizanit, nuk do të jetë vendimtare, pasi që ka edhe 10 ndeshje deri në fund të sezonit.
“Nuk është vendimtare nesër, janë edhe 10 sfida dhe çdo skuadër ka treguar se mund këdo. Nuk mendoj se Vllaznia kishte momente të këqija, sepse kur nuk fitonim sërish nuk humbnim. Nuk fituam për 7 ndeshje, por jemi sërish ne të parët. Të gjitha skuadrat thonë se do mbërrijmë Vllazninë, por jo ta kalojmë. Objektivi është finalja dhe ngritja e Kupës do ishte gjë e mirë. Më pëlqeu fakti se trajneri i Laçit tha se jemi për trofeun e titullit dhe t’i tregojmë se nuk e kishte gabim. Nesër me Partizanin nuk na duhet humbja, janë në lojë dy rezultate”, tha mes tjerash Adili.
Përballja në mes Vllaznisë dhe Partizanit do të zhvillohet në stadiumin në Shkodër, në orën 16.00. /Vipsport/