Aeroportet tona humbin betejën me Tiranën

Aeroportet tona humbin betejën me Tiranën

Gazetar: Miki Trajkovski

Aeroporti i Shkupit dhe ai i Ohrit, po humbin betejën me Aeroportin e Tiranës, nga ku qytetarët mund të fluturojnë në më shumë se 100 destinacione të lira në të gjithë Evropën. Dhe në vend që të përdorin aeroportin e Ohrit për të tërhequr edhe më shumë vizitorë, disa nga linjat ekzistuese po anulohen ose zvogëlohen. Tani një numër i mirë turistësh të huaj fluturojnë për në Tiranë, gjë që do të ndikojë seriozisht në turizëm, thonë nga sektori i turizmit.

“Numri i turistëve nuk do të ndryshojë shumë, por numri i turistëve cilësorë, ata që vijnë shpejt dhe me efikasitet me linja ajrore, do të ndryshojë shumë. Nëse zvogëloni nga 12 linja në vetëm dy në javë, atëherë ky është një problem serioz dhe dikush duhet të merret me të”, deklaroi Zoran Tuntev – Profesor në Fakultetin e Turizmit.

Nëse pyesni turistët ose agjencitë që anulojnë linjat ajrore, Tuntev thotë se përgjigja e tyre është se infrastruktura e dobët është arsyeja.

“Ne do të zbresim në aeroportin e Ohrit, por çfarë ndodh më pas. Për në Ohër ata duhet të kalojnë nëpër pengesa të tëra, me atë autostradë që është ndërtuar që kur di për veten. Ose për në Shkup, ajo lidhje duhet të jetë e shpejtë dhe efikase. Ndërsa në Shqipëri mund të shohësh se po ndërtohet, pa koment po ndërtohet. Ndërtojnë infrastrukturë të mirë rreth liqenit, njoftojnë për projekte të shkëlqyera për zhvillimin e sportit dhe turizmit liqenor. Kam frikë se këtu ia kemi huq”, shtoi Zoran Tuntev – Profesor në Fakultetin e Turizmit.

Për shumë vite, kemi paralajmëruar se Aeroporti i Tiranës do të marrë primatin e turistëve, thonë nga sektori i turizmit.

“Gjithnjë e më shumë, zvogëlimi i fluturimeve do të kontribuojë në një numër më të madh udhëtimesh të tërthorta dhe ekskursione njëditore nga Shqipëria në Ohër, dhe një rënie të numrit të turistëve me cilësi më të mirë, domethënë një rënie në qëndrimin mesatar të turistëve. Nëse kjo prirje vazhdon, do të kemi një devalvim të vetë destinacionit”, u shpreh Ljupço Janevski – ish-Drejtor i Agjencisë së Turizmit.

Sipas disa të dhënave, vetëm vitin e kaluar, përmes aeroportit të Tiranës kanë udhëtuar mbi 10.000 shtetas të Maqedonisë së Veriut. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button