Afër finalizimit, dy ish-kampionët e botës përballen në janar

Malik Skot, trajneri i boksierit amerikan Deontej Uajlder, ka rrëfyer se ish-kampioni i botës në peshën e rëndë pritet të duelojë në janar ndaj meksikanit Endi Ruiz Jr. Edhe ky i fundit ka qenë kampion bote në këtë Divizion, ndaj do të kishim një përballje mes dy ish-kampionë bote.
Prej kohësh është përfolur për negociata mes dy boksierëve, por deri më tani nuk ka asgjë konkrete. Por Malik Skot zbulon se palët janë pranë marrëveshjes, çka do të ishte një sfidë e madhe për të dy boksierët.
Uajlder numëron 42 fitore, 2 humbje e 1 barazim në karrierë, ndërsa Ruiz ka 35 fitore e 2 humbje.
“Ruiz është një mundësi e mirë dhe mendoj se Deontej do të shkojë të fokusohet te dueli ndaj tij. Mos u befasoni nëse do të shihni që në janar ata të dy do të duelojnë mes tyre. Do të duelojmë për ta hedhur në tapet dhe më pas të shohim. Nëse do të jetë i lirë, jemi gati të përballemi me të”, tha Skot.