Agjencitë informative, për relaksim të raporteve Shkup-Sofje
Agjencitë informative, për relaksim të raporteve Shkup-Sofje

Gazetar: Lluka Andreev
Lajmet e rreme dhe gjuha e urrejtjes janë në korrelacion të drejtpërdrejtë, thotë gazetarja Marinela Veliçkova, korrespondente nga Maqedonia për Agjencinë Telegrafike Bullgare, e cila së fundmi hapi zyrën e saj në Shkup, shkruan Alsat.
Pikërisht për shkak të lajmeve të rreme, derisa po zhvillohen bisedimet midis dy vendeve, Veliçkova thotë se roli i saj është të përcjellë informacione të sakta nga vendi për opinionin në Bullgari. Ato do ishin lajme agjencish pa komente shtesë, të cilat do të “udhëtojnë” drejtpërdrejt nga Shkupi në Sofje, e jo përmes agjencive nga vende të treta.
“Sa më i shtrembëruar të jetë një informacion, aq më shumë emocione sjellë, ndërsa emocioni nuk është gjithmonë sjellja e duhur në një situatë të caktuar, në të cilën duhet të zgjidhen probleme të caktuara. Problemet zgjidhen kur atë shtrohen në tavolinë dhe flitet për to. Këtu është përgjegjësia e medias. Vetëm informacioni i paanshëm mund ta qetësojë atmosferën”, deklaroi Marinela Veliçkova – korrespondente e BTA nga Shkupi.
Gazetarja, duke ndarë pjesë të arkivit të BTA, përfshirë edhe lajmet e para nga Shkupi në fillim të shekullit të kaluar, theksoi se kjo agjenci është shtyllë besueshmërie për audiencën bullgare.
“Mjafton informacioni i qartë. Nëse është i verifikuar mirë dhe ka burim, atëherë nuk ka se si lajmet e rreme të shfaqen në një agjenci lajmesh. Kjo është mënyra e duhur për të kapërcyer valën e lajmeve të rreme”, u shpreh Marinella Veliçkova – korrespondente e BTA-së nga Shkupi.
Përfaqësi të këtillë hapi agjencia shtetërore MIA në Sofje, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski, ku të dyja agjencitë ranë dakord që të ndajnë lajmet nga të dyja vendet. Ndërkohë, tejkalimi i gjuhës së urrejtjes mbetet një nga kërkesat kryesore bullgare nga pakoja “4 + 1” për zhbllokimin e procesit të integrimit evropian./Alsat.mk