Agresioni rus në Ukrainë mund ta rris krizën klimatike – si do të ndikojë kontaminimi në mjedis?
Agresioni rus në Ukrainë mund ta rris krizën klimatike – si do të ndikojë kontaminimi në mjedis?
Kambanat ranë në të gjithë botën më 3 mars, kur ndodhën shpërthime jashtë centralit më të madh bërthamor në Ukrainë.
Ushtria ruse kishte marrë nën kontroll centralin më të madh të energjisë dhe pushtoi ambientet pas bombardimeve intensive që mund të kishin rrezikuar stabilitetin e gjashtë reaktorëve bërthamorë në termocentralin Zaporizhzhia.
Vetëm pak ditë më parë, lufta për kontrollin e Çernobilit rezultoi në rritjen e niveleve të rrezatimit rreth zonës së vjetër bërthamore në periferi të kryeqytetit ukrainas, Kiev.
Sjellja e pamatur e presidentit rus, Vladimir Putin ka ngjallur frikë mbi kontaminimin – madje edhe në një luftë më të gjerë që përfshijnë armët bërthamore. Mundësia e një fatkeqësie bërthamore është vetëm Maja e Ajsbergut kur bëhet fjalë për pasojat e panumërta që agresioni rus në Ukrainë do të shkaktojë në mjedis, raporton euronews.
Kur përfshin emetimet e gazrave në rritje për shkak të aktivitetit ushtarak, derdhjet dhe retë toksike të shkaktuara nga shkatërrimi i objekteve industriale dhe të magazinimit të karburantit, ndotja e ujit dhe tokës nga metalet e rënda dhe kimikatet nga bombat dhe armatimet, madje edhe shkatërrimi i të korrave dhe kafshëve të egra – ndikimi është tronditës.
Mund të duhen dekada që Ukraina dhe bota në tërësi të rikuperohen nga ndikimi i konfliktit.
“Mund të shikoni disa zona në Francën Veriore dhe Belgjikë të prekura nga Lufta e Parë Botërore, ku ende nuk mund të bëni bujqësi, sepse ka municione të pashpërthyera në tokë – ose toka është e ndotur nga metale të rënda dhe mbetje nga armët kimike”, thotë Doug Weir, Drejtor i Kërkimit dhe Politikave i Observatorit të Konflikteve dhe Mjedisit (CEOBS).
“Ju mund të shihni ndërprerje në peizazh, kur shihen llogore ose predhat… Kështu që dëmtimi mund të zgjasë për 100 vjet”, pohoi ai.
“Unë mendoj se pyetja më e gjerë është se në çfarë niveli po rikuperohemi? Sepse kur dëmton mjedisin dhe shkatërron ekosistemet, ai nuk kthehet kurrë në atë që ishte më parë”, vazhdon Weir dhe shtoi “Gjithmonë do të degradohet. Pemët dhe bari mund të rriten përsëri, por ekosistemi që është krijuar do të jetë i ndryshëm, në shumë raste”.
Pasojat reale të bombardimeve të zonave industriale dhe të banuara
Observatori i Konflikteve dhe Mjedisit (CEOBS), një organizatë jofitimprurëse me qendër në Mbretërinë e Bashkuar, ka monitoruar nga afër situatën në Ukrainë dhe ndikimin e agresionit rus në mjedis.
Studiuesit janë përpjekur të vlerësojnë situatën në terren përmes fotografive satelitore dhe dëshmive të dëshmitarëve okularë, pasi shumica e stacioneve të monitorimit në internet janë hequr.
“Ajo që na shqetëson më shumë është strategjia ruse e bombardimit të zonave urbane, të cilat kanë zona industriale afër vendit ku njerëzit jetojnë, punojnë dhe ku luajnë fëmijët. Kjo është shumë shqetësuese sepse ne e kemi parë atë në Çeçeni dhe kjo krijon rreziqe mjedisore për shëndetin e njerëzve që janë ende atje ose kur kthehen”, tha organizata për Euronews Green.








