Aja dhe Jakovi janë dy foshnjat e para të lindura në minutat e para të Vitit të Ri 2025
Aja dhe Jakovi janë dy foshnjat e para të lindura në minutat e para të Vitit të Ri 2025

Gazetare: Melihate Rustemi
Një vajzë dhe një djalë janë foshnjat e para që erdhën në jetë në minutën e parë të ndërrimit të viteve. Aja, foshnja vajzë lindi në spitalin gjinekologjik në Çair dhe është fëmija i dytë në familjen Etemi.
“Ne kishim fatin që në spitalin tonë një minutë pas mesnate u soll në jetë një bebe e shëndoshë, vajzë me peshë trupore 3.110 gr dhe gjatësi 50 centimetra. Edhe nëna edhe bebja janë në gjendje të shkëlqyeshme. Shfrytëzoj rastin të përcjell një inkurajim të gratë e reja që sa më tepër të rrisin numrin e foshnjave në këtë spital, në këtë vit që po e fillojmë”, tha Pranvera Izairi, drejtore e Spitalit gjinekologjik “Nëna Terezë” Çair.
Foshnja djalë Jakov lindi me peshë 3.190 gram dhe gjatësi 50 centimetra ndërsa është fëmija i parë për nënën Sanja Talevska Grozdanovska.
“Termini ishte planifikuar për muajin Janar, pak më vonë mirëpo na befasoi më herët, e paplanifikuar por një dhuratë për Vitin e Ri, Është fëmija i parë dhe procesi i lindjes kaloi shkëlqyeshëm”, u shpreh Sanja Talevska Grozdanovski, nëna e foshnjës Jakov.
“Jakov edhe me emrin e tij, parashikon një vit të bukur dhe të fortë, që shpresoj të jetë i frytshëm për të gjithë ne. Fatkeqësisht, më pak lindje kemi por shpresoj që ky trend të ndryshoj dhe vitin tjetër të lavdërohemi se kemi arritur 4 mijë lindje për një vit”, theksoi Irena Aleksioska Papestiev. drejtore e Klinikës së Gjinekologjisë.
Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari tha se lindjet që pasuan pas ndërrimit të motive janë shpresë për një vit të frytshëm dhe lindje të shëndetshme.
“Të dy nënat dhe të dy fëmijët në gjendje shumë të mirë dhe të kënaqur prej shërbimeve shëndetësore që kanë marrë. Informata tjetër shumë e mirë që gjithsej deri më tani vetëm në Shkup, në gjinekologjinë në Qendrën Klinikë dhe këtu në Çair kanë lindur 9 fëmijë që është trend shumë i mirë”, deklaroi Arben Taravari, ministër i Shëndetësisë.
Dy foshnjat e para të vitit 2025 përveç dhuratave modeste fituan edhe monedhë ari nga Ministria e Politikës Sociale. Foshnja në Çair mori edhe një kupon parash.
“Numri çdo vit në këtë klinikë është i madh i lindjeve dhe ajo tregon edhe një herë për cilësitë, kualitetin dhe shërbimet që i jep ky institucion”, u shpreh Visar Ganiu, kryetar I Komunës Çair.
Për klinikën e Gjinekologjisë viti 2024 u përmbyll me 3.873 lindje foshnjash. Ndërkohë, spitali Gjinekologjik “Nëna Terezë” në Çair vitin që sapo e lëmë pas e përmbylli me rreth 3.600 lindje dhe po aq ndërhyrje kirurgjikale dhe intervenime tjera më të vogla. /Alsat.mk