Ajri i ndotur dhe periudha me virozat ka stërmbushur kapacitetet në repartet e pulmologjisë

Ajri i ndotur dhe periudha me virozat ka stërmbushur kapacitetet në repartet e pulmologjisë

Gazetare: Linda Ebibi Ademi

Vendi po hyn gradualisht në periudhën e ditëve me ndotje të lartë të ajrit, një problem me pasoja të rënda për shëndetin, veçanërisht për sistemin e frymëmarrjes. Në Klinikën e Pulmologjisë, gjatë ditëve kur ndotja arrin nivelet më të larta, funksionojnë katër ambulanta.

Por kapacitetet në këtë repart janë ngarkuar tejmase. Më të prekurit mbeten fëmijët, të cilët për shkak të imunitetit më të dobët reagojnë më rëndë ndaj ajrit të ndotur. Sipas të dhënave globale, rreth 8 për qind e vdekjeve të fëmijëve lidhen pikërisht me ekspozimin ndaj ndotjes së ajrit.

“Si pasoja mund të themi që ajri i ndotur ndikon në të gjitha organet e frymëmarrjes dhe në sistemet e trupit, mirëpo më e ndjeshme është sistemi respirator. Duke filluar prej rrugëve të sipërme të frymëmarrjes kemi pengesa me kollitje të vazhdueshme, dhimbje në gjoks, vështirësi në frymëmarrje, irritim të syve. Sa i përket mushkërive kemi përkeqësim apo shkaktim i astmës, kemi bronkit kronik dhe ajo që është më e rrezikshme është edhe kanceri i mushkërive, referohet që 10 për qind të kancerit të mushkërive është nga ajri i ndotur”, tha Irfan Ismaili, pulmolog.

Vendi nuk ka një program skriningu për kancerin e mushkërive, gjë që bën që rreth 70 për qind e pacientëve të diagnostikohen në stadet e avancuara të sëmundjes.

“Fatkeqësisht mungesa e skriningut ndikon që rastet, rreth 70 për qind e rasteve vinë në fazën e tretë apo të katërt të kancerit të mushkërive. D.m.th vinë në një stadium të avancuar dhe ne nuk kemi shumë rezultate të mira pasi që është vështirësuar diagnostika e ku edhe trajtimi i këtyre rasteve d.m.th. mungesa e skriningut dhe mungesa e disa faktorëve tjerë ndikon që rastet të vijnë tek ne në stadet e avancuara”, tha Irfan Ismaili, pulmolog.
Ismaili shpjegon se në vendet Evropiane ku funksionon një program skriningu për kancerin e mushkërive, vdekshmëria nga kjo sëmundje është ulur me rreth 30 për qind falë diagnostikimit të hershëm./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button