Aksident i rëndë në bulevardin Goce Dellçev në Shkup, një person mbetet i vdekur

Gazetare: Vjollca Aliti

Një person humbi jetën pasi u godit nga makina e tipit BMW me targa të Komunovës, në bulevardin “Goce Dellçev”, pranë godinës së Qeverisë, shkruan Alsat.

Jo-zyrtarisht, makina ka lëvizur me shpejtësi të madhe në momentin kur e ka shtypur viktimën e cila ka qenë duke kaluar rrugën në viza të bardha. Ministria e Brendshme njoftoi se viktimës i është konstatuar vdekja menjëherë pas aksidentit të rëndë nga ana e mjekëve të Ndihmës së Shpejtë. Ndërkohë nga Prokuroria thonë se po e hetojnë rastin.

“Me urdhër të prokurorit publik në trupin e të ndjerit do të bëhet autopsi, ndërsa nga personi i cili drejtonte veturën do të merren mostra të gjakut dhe urinës për të konstatuar praninë e mundshme të alkoolit apo substancave të tjera të paligjshme. Me urdhër të prokurorit publik do të sigurohen incizimet nga video-përgjimi i objekteve përreth për të përcaktuar shkaqet e aksidentit. Edhe prokurori publik kujdestar ka lëshuar urdhër për kontroll teknik të veturës”, njoftojnë nga Prokuroria Publike.

Ky është aksidenti i dytë brenda një jave i cili pas vetes la viktima. Pak ditë më parë në Karposh një veturë e markës Citroen goditi një vajzë 24 vjeçare duke lënë të vdekur. Për shoferin e makinës Prokuroria ka nisur procedurë hetimore.

Ndërkohë Policia ka njoftuar se këto ditë në gjithë territorin e vendit ka përforcuar kontrollet për sanksionimin e veturave të cilat lëvizin me shpejtësi më të madhe se e lejuara. Gjatë ditës së djeshme janë shqiptuar 203 dënime për shpejtësi të lartë. Shtatë prej tyre kanë qenë mbi 50 km në orë më shumë se sa shpejtësia e lejuar ndërsa një veturë ka lëvizur madje mbi 70km në orë më shumë se pragu I lejuar. 80 shoferë kanë tejkaluar shpejtësinë në vendbanime ndërsa 123 të tjerë jashtë vendbanimit të tyre.

Ministria e Brendshme njofton se vazhdojnë kontrollet e përforcuara edhe gjatë ditëve në vijim duke apeluar deri te të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion për respektim të normave në trafik me qëllim që të ketë më pak pasoja. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button