“Aksidentet fatale”, protesta kundër dhunës në trafik

Gazetar:  Igor Stefanovski

“Stop dhunës në trafik”. Ky mesazh u dërgua në protestën në kryqëzimin te “City Mall”, ku 10 ditë më parë humbi jetën 24 vjeçarja Viktoria Nikollova teksa po kalonte në vendkalim për këmbësorë. Në protestë morën pjesë familjarë, miq dhe të njohur të Nikollovskës. Nëna e saj, vizitoi për herë të parë vendin ku ishte goditur Viktoria, shkruan Alsat.

“Hapni sytë dhe linjat e bardha në vendkalim të këmbësorëve le të jenë alarm se këtu kalon jeta, siç kaloi dhe u largua Viktoria jonë”, tha Liljana Nikollova, motra e Viktorias.

Avokati i familjes Nikollovi vlerëson se këmbësorët në vend janë të rrezikuar. Ai apelon – të respektohen të gjitha shenjat e komunikacionit.

“Fatkeqësisht kategoria e qytetarëve që janë viktima të aksidenteve në komunikacion, sidomos si këmbësorë, kryesisht janë të rinj apo studentë dhe më të moshuarit, si pensionistë. Qëllimi është vetëdija dhe ndërgjegjja e shoferëve të jetë në nivel shumë më të lartë që kjo masakër nëpër rrugët e Maqedonisë të ndalet përfundimisht”, deklaroi Vladimir Mihaloviq, avokat i familjes Nikollovi.

Banorët e Karposhit dëshmojnë se në bulevardin “Partizanski Odredi” vozitet shumë shpejtë.

“Të njëjtën ditë që ka ndodhur ky aksident, unë dhe djali im kemi kaluar tre orë më herët në këtë semafor. Semafori nuk është i rregulluar. Për këmbësorët, drita e kuqe nuk ndriçonte. Më është dashur të interpretoj semaforin kur duhet të kaloj dhe kur jo”, u shpreh Eftim Zdravevski, banor.

Vetëm këtë muaj janë shënuar nëntë viktima në aksidente rrugore. Statistikat e policisë tregojnë se vitin e kaluar në aksidente trafiku kanë humbur jetën 111 qytetarë. Rreth 240,000 gjoba janë shqiptuar vitin e kaluar dhe më shumë se 100,000 shoferë kanë vozitur me shpejtë. Shpejtësia, thonë nga MPB-ja është shkaktari më i shpeshtë i aksidenteve të rënda në trafik. //Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button