Aktakuzë ndaj një personi dhe propozim aktakuzë ndaj katër personave të tjerë për keqpërdorime gjatë procedurës së ndërtimit të Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës
Aktakuzë ndaj një personi dhe propozim aktakuzë ndaj katër personave të tjerë për keqpërdorime gjatë procedurës së ndërtimit të Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës

Gazetar: Bashkim Sulejmani
Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka dorëzuar aktakuzë kundër një personi dhe propozim akuzë kundër një personi juridik dhe tre personave fizikë në lidhje me ndërtimin e Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës. Sipas Prokurorisë, të akuzuarit i kanë manipuluar dokumentet dhe rregullat e procedurës për ndarjen e marrëveshjes për furnizime publike dhe e kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, me çka, kanë përfituar mbi 13 milionë euro.
“….I akuzuari i parë S.SH. si pronar dhe menaxher i personit të akuzuar juridik, së bashku dhe sipas marrëveshjes së mëparshme me të akuzuarin e tretë H.F., dhe me të akuzuarin e katërt A.A., kryetar i Komisionit të Prokurimit Publik, me vetëdije manipuluan me rregulloret dhe rregullat e procedurës për dhënien e kontratës së prokurimit publik dhe shpërdoruan pozitën dhe autoritetin zyrtar. Të dyshuarit, për personin juridik kanë realizuar përfitime në shumën prej 832.983.064,00 denarëve apo mbi 13 milionë euro”.
Të përfshirët kanë ndërmarrë veprime për ta ndryshuar lëndën e marrëveshjes me çka i kanë zvogëluar 22 pozicionet dhe mbarimin e objektit deri në fazën e “çelësit në dorë”, pa pasur projekt të miratuar për të. Njëkohësisht, për të arsyetuar këtë, kanë nënshkruar 12 anekse të marrëveshjes me çka janë paguar mbi 2.2 milionë euro më shumë se sa marrëveshja fillestare. Me anekset e nënshkruara, edhe pse procedura ka qenë e pandarë, ata e kanë ndarë dhe e kanë ndryshuar lëndën e marrëveshjes dhe në këtë mënyrë kanë mundësuar në të ardhmen që të udhëhiqen dy procedura për furnizime publike dhe të ndahen marrëveshje të reja për rindërtim në fazën e dytë, që ka kanë mundësuar dobi për operatorët potencial ekonomik.
Sipas aktakuzës së ngritur, personat në fjalë me mos kryerjen e obligimeve ligjore për evidentim dhe paraqitje të obligacioneve tatimore dhe për mospërgatitje të projektit bazë për situatën e ndryshuar, në dëm të buxhetit të RMV-së, janë të obliguar të paguajnë mbi 3 milion euro për tatim të vlerës së shtuar që nuk e kanë evidentuar në kohë dhe nuk e kanë paraqitur që të jenë të liruar nga kjo pagesë. I akuzuari i pestë, personi me inciale B.M., si inxhinier mbikëqyrës kryesor tek personi juridik, si organ mbikëqyrës për realizimin e marrëveshjes për furnizime publike nga 2015-2020, edhe pse është ndryshuar projekti i ndërtimit të kësaj godine, i njëjti nuk ka kërkuar që të bëhen analiza shtesë sizmike dhe të konstrukcionit apo statistikës, ndërsa me mos përgatitjen e projektit për mirëmbajtje dhe përdorim është pamundësuar regjistrimi i objektit në librat publik të patundshmërive.
Objekti i Teatrit dhe bibliotekës së Tetovës, që në 2014 filloi me shumë vonesa dhe ndryshime të projektit. Për të gjitha vonesat, kishte ndërhyrë edhe Policia Financiare duke marrë një numër të madh dokumentesh nga Shtëpia e kulturës por raport për atë se ka pasur apo jo shkelje nuk publikuan asnjëherë.