Aktivistë dhe themelues të ASH-së kritikuan vendimin për largim nga qeveria, kundërshtojnë bashkëpunimin me BDI-në
Aktivistë dhe themelues të ASH-së kritikuan vendimin për largim nga qeveria, kundërshtojnë bashkëpunimin me BDI-në

Gazetare: Fatlume Dervishi
Përkrah kreut të Aleancës për Shqiptarët Arben Taravari, në momentin që e bëri të ditur vendimin për largimin nga qeveria një ditë më parë, nuk ishin zv.kryeministri Arben Fetai dhe as deputeti Salim Sulejmani. Taravari arsyetoi mungesën e tyre me arsye personale duke insistuar që është koordinuar paraprakisht për vendimin. Megjithatë, ata personalisht nuk janë prononcuar akoma pas vendimit.
Vendimi i Taravarit për largim nga qeveria dhe hapja e rrugës së bashkëpunimit me BDI-në tashmë kundërshtohet hapur nga anëtarë të kryesisë qendrore të partisë, aktivistë por edhe funksionarë më të lartë brenda subjektit politik. Menjëherë pas vendimit, reaguan dy anëtarët e kryesisë së ASH-së Latif Arifi dhe Lulzim Aliti. Vendimin e quajnë të pajustifikuar.
“Vendimi i paralajmëruar dhe arbitrar i kryetarit të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, dhe një rrethi të ngushtë individësh, për të larguar partinë nga qeveria dhe për ta dërguar atë në përqafim të Ali Ahmetit, është një akt i papërgjegjshëm politik që shkel vullnetin e anëtarësisë së gjerë të partisë dhe besimin e 107.00 mijë qytetarëve që votuan për ndryshim”, tha Latif Arifi, anëtar i kryesisë së ASH-së.
“Largimi nga Qeveria për t’u bashkuar me BDI-në nuk është kompromis politik por tradhti ndaj aspiratave të shqiptarëve për ndryshim! Pazari për koalicionin e ardhshëm mes Aleancës së Arben Taravarit dhe BDI-së së Ali Ahmetit është një sekret publik. Tashmë edhe zogjtë e malit e dinë këtë gjë. Nuk ka asnjë justifikim për bashkëpunim me një BDI të pareformuar”, u shpreh Lulzim Aliti, anëtar i kryesisë së ASH-së.
Taravarin së fundmi e la vetëm edhe këshilltari në Ministrinë e Shëndetësisë Sabri Aziri i cili shkroi:
“Në jetë është e rëndësishme të jesh në kohë.Por gjëja më e rëndësishme është të largohesh në kohë”, tha Sabri Aziri, Këshilltar në Ministrinë e Shëndetësisë.
Dy aktivistë të tjerë brenda ASH-së, Ismail Skenderi dhe Adnan Demishi, në rrjetet e tyre sociale po ashtu shkruajnë “Taravari, është koha të dorëhiqesh. Shpëtimi i Aleancës është shkuarja e Taravarit” si dhe “Unë asnjëherë nuk do e mbështes BDI-në”.
“Taravari, është koha të dorëhiqesh… Aleancën ta udhëheqin fytyra të reja, të pakorruptuara si Valbon Limani dhe Aleanca të vazhdojë në VLEN. Për ndryshe Aleanca do ta humbë edhe Gostivarin. Shpëtimi i Aleancës është shkuarja e Taravarit”, theksoi Ismail Skenderi, ASH.
“Unë asnjëherë nuk do e mbështes BDI-në”, nënvizoi Adnan Demishi, ASH.
Partnerët e Taravarit në ekzekutiv, VMRO-DPMNE dhe VLEN këmbëngulin që anëtarësia dhe votuesit e ASH-së nuk janë në të njëjtën mendje me kreun e partisë dhe nuk e mbështesin largimin. Andaj kërkojnë që ata të mbeten pjesë e, siç thonë ata, ndryshimit të nisur. /Alsat.mk