Akuza për hetime selektive për zjarrin në Koçan
Akuza për hetime selektive për zjarrin në Koçan

Gazetar: Mihaillo Donev
Akuza për hetime selektive për zjarrin në Koçan. LSDM pretendon se pushteti e mbajti Lupço Kocevskin në pozitën e prokurorit publik shtetëror në mënyrë që ai të mos përfshinte asnjë kuadër të VMRO DPMNE-së në aktakuzë. Sipas opozitës, është mbrojtur Dejan Salltirovski, kryeshef nga Shtipi, i cili supozohet se ishte parë para diskotekës Puls në natën e 16 marsit. LSDM pyet nëse dhe pse Saltirovski është i mbrojtur nga ndjekja penale.
“A e pyeti Prokuroria Salltirovskin se çfarë po kërkonte gjatë kësaj periudhe para diskotekës dhe pse policia nuk hyri për të kryer kontrollin e veprimit siç ishte planifikuar në 12:30 kur fillon ahengu në vend se në fund të saj? A ka falsifikuar ndërkohë Dejan Salltirovski dokumentacionin se nuk ka qenë në punë atë mbrëmje apo ekzistojnë prova konkrete për këtë? A është Dejan Salltirovski i mbrojtur nga ndjekja penale sepse është në marrëdhënie kumbarie me Orce Todorovski – Efto, një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë dhe partnerët e biznesit të Hristijan Mickoskit?”, tha Kaja Shukova, Nënkryetare e LSDM-së.
LSDM gjithashtu akuzon Salltirovskin se mbrohet personalisht nga Toshkovski, ndërsa ata pyesin nëse ai është vendosur në këtë pozitë pa poseduar certifikatën e domosdoshme të sigurisë.
“A mbrohet personalisht Dejan Salltirovski nga Pançe Toshkovski, i cili ishte avokati i tij dhe jo vetëm që e përfaqësonte ligjërisht, por si i punësuar në policinë kufitare u ka ofruar policëve një prokurë të nënshkruar nga avokati Pançe Toshkovski për të pompuar para nga buxheti i shtetit? A është e vërtetë që Dejan Salltirovski nuk mund të merrte certifikatë sigurie për një kohë të gjatë dhe nëse po, si mund të vendoset në post kaq të lartë në Ministrinë e Brendshme?”, shtoi Kaja Shukova, Nënkryetare e LSDM-së.
Derisa kërkojnë përgjigje nga pushteti dhe prokuroria, opozita paralajmëron se do të vazhdojë të publikojë informacione që sipas tyre, janë prova të hetimit selektiv në Kocan. Dje përfundoi zyrtarisht hetimi i Prokurorisë për zjarrin në diskotekën Puls në Koçan, ku humbën jetën 62 persona. /Alsat.mk