Akuzat ndërpartiake për bllokimin e integrimit
Akuzat ndërpartiake për bllokimin e integrimit

Gazetare: Fatlume Dervishi
Jo Bullgaria por korrupsioni është pengesa reale që vendi nuk hapi kapitujt e anëtarësimit me BE-në as në samitin e dhjetorit, shkruan Alsat.
Kështu vlerëson VMRO-DPMNE-ja, sipas të cilës, po të besonin vendet anëtare të BE-së se Maqedonia është në harmonizim me vlerat evropiane, mund të kishin gjetur mënyrë për të bindur Bullgarinë.
“Përfaqësuesit e lartë evropianë vlerësojnë se Maqedonia nuk është e gatshme t’i fillojë negociatat me BE-në, jo për shkak të Bullgarisë, por për shkak të nivelit të lartë të krimit dhe korrupsionit në krye të pushtetit. Deri sa i manipulonin qytetarët dhe fshiheshin pas vlerave evropiane, në vend shpërndanë epidemi korrupsioni. Kovaçevski, Mariçiq dhe Osmani të cilët natë e ditë thoshin se Maqedonia ka miq, nuk arritën t’i bindin përfaqësuesit e lartë që ta bindin Bullgarinë ta heqë veton. Dëshmia më e mirë që kjo është e mundur, është fillimi i negociatave me Ukrainën”, tha Marija Miteva, VMRO-DPMNE.
Sipas LSDM-së, pengesa e vetme janë ndryshimet kushtetuese të cilat u bllokuan nga VMRO-DPMNE-ja dhe E Majta.
“Frenuesi i vetëm i integrimeve në BE është koalicioni anti-NATO dhe anti-BE i DPMNE-së dhe Të Majtës. Është pse kemi skrining të suksesshëm dhe mbështetje të fuqishme në union dhe dyer të hapura, për shkak të bllokimit aktiv të Mickoskit dhe Apasievit në Kuvend, nuk filloi procesi i hapjes së kapitujve. Fajtori ka emër dhe mbiemër, Mickoski dhe DPMNE”, u shpreh Darko Kaevski, LSDM.
Këshilli i Bashkimit Evropian, ditë më parë, në një samit që mund të ishte vendimtar për vendin nëse do të ishin përmbushur kushtet miratoi konkluzionet në të cilat kërkoi që të zbatohen reforma në fushën e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe administratës publike, por edhe që marrëveshjet me Greqinë dhe Bullgarinë të respektohen./ Alsat.mk