Al Hilal në garë me “Zonjën e Vjetër” për firmën e Osimhenit

Viktor Osimhen pritet të jetë një nga protagonistët kryesorë të merkatos së verës. Sulmuesi nigerian, që me shumë gjasa do të rikthehet te Napoli pas huazimit te Gallatasarai, pritet të jetë objekt i një “ankandi” të fortë mes klubeve më të mëdha europiane, por edhe skuadrave të pasura arabe, që janë të gatshme të bëjnë çmenduri për ta marrë. Turqit nuk e kanë fshehur dëshirën për ta mbajtur edhe për sezonet në vijim, por konkurrenca do të jetë e fortë.
Në Itali, sipas asaj që raporton “Corriere dello Sport”, Juventusi është kandidati kryesor për ta transferuar Osimhen. “Bardhezinjtë” e shohin përforcimin e repartit ofensiv si prioritet absolut për verën, sidomos nëse sigurojnë kualifikimin në Ligën e Kampionëve. Operacioni mund të financohet nga shitja e Dushan Vlahoviçit.
Në kontratën e Osimhen me Napolin ekziston një klauzolë largimi prej 75 milionë eurosh, por që është e vlefshme vetëm për klubet jashtë Italisë. Detaj që e pengon Juventusin të përfitojë prej saj. Për këtë arsye, drejtori sportiv Kristiano Xhiuntoli do të duhet të paraqesë një ofertë të paktën 85 milionë euro (mes shumës fikse dhe bonuseve) për ta bindur presidentin De Laurentiis. Përveç kartonit, Juventusi duhet të përballojë edhe pagën e lartë të sulmuesit, që kalon 10 milionë euro në sezon.
Gjithsesi, klubi torinez nuk është vetëm në garë. Nga Arabia Saudite, konkretisht Al Hilal, është gati një ofertë e “çmendur” për ta joshur Osimhen të pranojë “Saudi Pro League”. Klubi është i gatshëm t’i ofrojë sulmuesit pagë prej 30 deri në 35 milionë euro në sezon, shifër që me siguri do ta bëjë sulmuesin nigerian të mendojë gjatë për të ardhmen e tij.