Alarm i kuq për kompanitë vendase/ Azeski thirrje institucioneve shtetërore të ndërmarrin masa serioze
Alarm i kuq për kompanitë vendase/ Azeski thirrje institucioneve shtetërore të ndërmarrin masa serioze

Gazetar: Miki Trajkovski
Kompanitë nga rajoni i Ohrit dhe Strugës përballen me mungesë të fuqisë punëtore të kualifikuar. Kërkojnë që shteti të lejojë punësimin e personave që tashmë janë në pension, gjatë gjithë vitit. Sipas propozim-ligjit të ri për angazhimin e personave në punë, thjeshtohet procedura për angazhimin e studentëve të rregullt dhe pensionistëve, por vetëm për punë sezonale dhe të përkohshme.
„Kemi problem me kuadër profesional. Prandaj duhet të ndërmerret iniciativë për të lejuar që pensionistët mbi 64 vjeç të mund të qëndrojnë në punë, me të gjitha kontributet që u takojnë, sepse njerëzit në moshën më produktive i lëmë të rrinë në shtëpi, ndërkohë që ekonomia po përballet me mungesë të kuadrit”, deklaroi Aco Andrevski, pronar kompanie në Ohër.
Përveç mungesës së fuqisë punëtore, kompanitë presin efekte negative edhe nga paralajmërimet për rritjen e tarifave, pasi një pjesë e madhe e tyre janë të orientuara drejt eksportit.
„Ashtu siç kanë nisur këto tarifa në Amerikë dhe në Evropë, do të reflektohen negativisht, pasi 50% e plasmanit tonë është për eksport. Sa më shumë të rriten doganat, aq më shumë do të bien aktivitetet e eksportit“, shtoi Aco Andrevski, pronar kompanie në Ohër.
Kryetari i Odës Ekonomike, Branko Azeski, kërkon që të merren masa serioze për të parandaluar pasoja më të mëdha brenda shtetit.
“Ngjarjet globale po krijojnë pasiguri, që është një plagë vdekjeprurëse për biznesin, sidomos për ekonomitë e vogla si e jona. Nëse i shtohet edhe situata e vështirë që po kalon Evropa, që partneri ynë më i madh, Gjermania, po kalon në një situatë të vështirë, si dhe i gjithë rajoni, mund të arrijmë në përfundimin se duhet të ndezim dritat e kuqe dhe të jemi të kujdesshëm për atë çfarë mund të na presë në periudhën në vijim”, tha Branko Azeski – Kryetar i Odës Ekonomike.
Azeski mendon se tarifat amerikane ende nuk janë çështje e mbyllur dhe se shteti duhet të luftojë për të drejtat e ekonomisë vendore përmes bisedimeve. /Alsat.mk