Albin Kurti i ashpër me ndërmjetësin Laçjak: U pozicionua kundër Kosovës

Albin Kurti i ashpër me ndërmjetësin Laçjak: U pozicionua kundër Kosovës

Gazetar: Shkelzen Aqifi

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti akuzoi drejtpërdrejtë ndërmjetësin e BE-së për dialogun Mirosllav Lajçak për pozicionim në anën e Serbisë. Kurti tha se në takimin e fundit në Bruksel dukej që kishte një koordinim mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe Lajçakut për, siç tha ai, krijimin e një “skenari alternativ, ku gjysma e marrëveshjes zbatohet”.

“U ekspozova përball një skenari të cilin z.Lajçak dukej që e kishte dizajnuar kohë më parë. Pasi i propozova presidentit të Serbisë dhe dy përfaqësuesve evropian një plan të sekuencimit të punuar nga Republika e Kosovës i cili në fakt është dokumenti i parë që e propozoj në një takim të nivelit të lartë edhepse kryenegociatori zv.kryeministri Besnik Bislimi i ka propozuar në katër muajt e kaluar edhe dy plane të tjera të sekuencimit e të cilat janë refuzuar nga z.Lajçak, presidenti i Serbisë dhe Mirosllav Lajçak reaguan me të njëjtin mendim dhe me të njëjtën shpërfillje të koordinuar, të dy thanë që ky plan është jorealist dhe rrjedhimisht e vetmja rrugë përpara është zbatimi i pasekuencuar i pikës së negocimit të statutit të një Asociacioni të Komunave”, tha Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.

Kurti nuk tregoi nëse do të vazhdojë dialogun e Brukselit, por tha se ka dërguar letra sqaruese kryeqendrave evropiane dhe Uashingtonit, për takimin e 14 shtatorit.

“Nuk është këtu çështje BE dhe SHBA. Këtu kemi të bëjmë me një emisar evropian i cili e ka deformuar procesin duke mos u përqendruar në zbatimin e plotë dhe të hollësishëm, të menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj, por duke lejuar që qerrja të vihet para kuajve, Asociacioni i komunave një herë, e pastaj shohim”, deklaroi Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.

Raundi i fundit i dialogut në Bruksel, përfundoi pa përparim në normalizimin e marrëdhënieve. Ky ishte takimi i parë mes Vuçiqit dhe Kurtit pas shpërthimit të dhunës në veri të Kosovës në fund të majit. Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell tha se Kurti ka këmbëngulur që të formalizohet, fillimisht, njohja de facto e Kosovës nga Serbia. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button