Aleanca zbriti në Likovë por pa Arben Fetain, ndërkohë që mori vëmendje prania e Rijad Shaqirit
Aleanca zbriti në Likovë por pa Arben Fetain, ndërkohë që mori vëmendje prania e Rijad Shaqirit

Gazetar: Suad Bajrami
Një ditë pas vendimit për largim nga qeveria, Arben Taravari me funksionarët besnikë të tij, gjatë ditës së djeshme zbritën në Likovë, për t’u takuar me strukturat e partisë. Megjithatë, ajo që mori vëmendje ishte mungesa e Arben Fetait, një figurë e lartë partiake që vjen pikërisht nga ky rajon dhe i cili mban postin më të lartë në ekzekutiv, atë të zv/kryeministrit. Jozytarisht, mungesa është për shkak të mospajtimeve për largimin nga qeveria dhe për bashkëpunimin eventual me BDI-në. Megjithatë, mungesën e Fetait duket se është munduar ta mbulojë deputeti i zonës Rijad Shaqiri, i cili është kujdesur për të shkrepur dhe një fotografi me të gjithë pjesëmarrësit.
Shaqiri, qëndron në krah të Taravarit dhe përskaj akuzave dhe fakteve për kontakte të liderit të tij me rivalin e përbetuar Ali Ahmeti, për të cilin gjatë periudhës së kaluar kishte mendime të ashpra. Vetëm para dy javësh, manifestimit të 2 Majit në Sllupçan, ia mori vëmendjen shtrëngimi i duarve Ahmeti-Taravari, pasi ASH-ja kishte dalë nga koalicioni VLEN. Në krah të Taravarit, edhe atë ditë mungonte Fetai, por ishte deputeti Shaqiri, të cilin, fillimisht Ahmeti harroi t’ia shtrëngojë dorën, megjithatë më pas u kthye dhe u prit me dorë në zemër nga ana e Shaqirit.
Deputeti Shaqiri kishte qenë i zëshëm dhe cinik ndaj figurës së Ahmetit, veçanërisht për çështjen e ndejshme të UÇK-së, saqë opinioni nuk mund ta harrojë përplasjen me Talat Xhaferin nga foltorja e Kuvendit.
“Kemi pasur shumë procese paraprake të cilat, zotëri Ahmeti nuk është bërë as i gjallë. Sa i përket asaj që thatë se duhet t’i lahen këmbët e t’i pihet uji zotit Ahmeti, dua t’ju kujtoj se në radhët tona kemi nja dy hoxhallarë të cilët mos dhashë zoti ta lajnë zotin Ahmeti, e asnjëherë më nuk kthehet”, kishte thënë Rijad Shaqiri, deputet i ASH.
Shaqiri e riaktualizoi çështjen e statusit të ish ushtarëve të UÇK-së pasi LSDM rihapi temën e Branitellave. Shaqiri njoftoi se ishte duke punuar për një zgjidhje ligjore, e cila nuk e pa dritën e opinionit asnjëherë.
“Unë e kam draft-ligjin, versionin e ligjit për ish ushtarët e UÇK-së e kam të hartuar bashkë me disa kolegë”, ishte shprehur Rijad Shaqiri, deputet i ASH.
Shaqiri, në daljet publike arsyetonte edhe zvarritjen e ligjit për përfaqësim të drejtë, i cili do të duhej të zëvendësonte Balancuesin e shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese.
“Ju thoni se është dashur të pritet 23 vite, por edhe sa duhet të pritet që të dorëzohet ky ligj? Po ke mi pritur 23 vite, besoj se 3 muaj, 2 muaj nuk janë kohë shumë e gjatë? Mos të ndodh më shumë, mos ta shohim asnjëherë? Nuk besoj, se ne të Kumanovës jemi të fjalës dhe çdoherë kemi qëndruar në atë që e kemi thënë.” – Rijad Shaqiri, deputet i ASH.
Ndërsa Fronti Evropian protestonte me tendë para Gjykatës Kushtetuese për shkak të lëndës për Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, Shaqiri nga sheshi Skënderbeu ironizoi sërish se protesta e tyre është për të mbrojtur krimin.
“Këta që fshihen në tenda, e mbrohen nga shiu. As shiu e as hija e tendave nuk do mbulojë turpin e të bëmat e tyre. Ulërimat e tyre nuk kanë lidhje as me gjuhën shqipe as me shqiptarët e me asgjë shqiptare. Pra zhurma e tyre nuk është për shtet, por për pushtet” – Rijad Shaqiri, deputet i ASH. /Alsat.mk