Aliu se ka idenë për punimet në repartin e neurologjisë!
Aliu se ka idenë për punimet në repartin e neurologjisë!
Gazetare: Linda Ebibi
Ministri i Shëndetësisë nuk ka informacion lidhur me faktin që punimet për rikonstruksionin e repartit të neurologjisë në Qendrën Klinike vazhdojnë deri në orët e vona të natës, në një kohë kur aty ndodhen pacientë të shtrirë dhe të operuar, shkruan Alsat.
I pyetur nëse dëshiron të shohë incizimin që dëshmon situatën, ai shmangu përgjigjen, duke kthyer kokën dhe duke insistuar sërish se nuk posedon informacion për këtë çështje.
“Jo s’kam informatë që punimet vazhdojnë edhe natën. Dëshironi videon? Jo unë s’kam informata, thash nuk jam i informuar gjithsesi do të informohem dhe do të shoh se pse kanë punuar. A ka qenë ndonjë situatë që duhet ad hoc të zgjidhet ose është një standard që punohet nuk kam ndonjë informatë tani”, tha Azir Aliu, ministër i shëndetësisë.
Në redaksinë e TV ALSAT kanë arritur ankesa nga ana e familjarëve të cilët thonë se pacientët në vend që të kenë qetësinë e nevojshme pas ndërhyrjeve kirurgjikale, ata përballen me zhurmën e çekanëve dhe makinerive të ndërtimit në orët e vona të mbrëmjes. Në repart ndodhen rreth 30 pacientë që janë operuar ose presin t’i nënshtrohen operacionit.
Punimet në repartin e neurologjisë kanë nisur prej gati një viti. Nuk dihet se kur është paraparë përfundimi i tyre./ Alsat.mk








