Alkaraz, Sviatek dhe Gjokoviç me fitore të lehta, eliminohet Endi Marrej

Në fushat me bar të Londrës vijon Grand Slam i Uimbëlldonit me ndeshjet e prapambetura të turit të dytë dhe ato të turit të tretë. Kështu, numri 1 në botë, spanjolli Karlos Alkaraz, mundi 3-0 francezin A.Muller, ndeshje e vlefshme për raundin e dytë.
Nga gara është eliminuar idhulli i shtëpisë, britaniku Endi Marej, që u mund 3-2 nga greku Stefanos Cicipas (numri 5 në botë), në një ndeshje që zgjati gati 5 orë. Avancon më tej serbi Novak Gjokoviç, që mundi 3-0 veteranin zviceran Vavrinka. Në raundin e tretë shkon edhe numri 3 në botë, rusi Daniil Medevdev, që mundi 3-0 francezin Manarino.
Më tej avancojnë danezi Holger Rune (numri 6), italiani Janik Siner (numri 8), gjermani Aleksander Zverev e kanadezi Denis Shapovalov.
Nuk ka surpriza te femrat, teksa pa probleme fitoi polakja Iga Sviatek, numri 1 në botë, që mundi 2-0 kroaten Martiç. Më tej avancon edhe numri 2, bjellorusja Arina Sabalenka, që mundi 2-1 francezen Graçeva. Një biletë për më tej sigurojnë edhe Ons Zhaber e Tunisisë, Xhesika Pegula e Amerikës dhe çekja Petra Kvitova.