Alsat nis sezonin e ri: “N’dritë” sjell debatet dhe intervistat rikthehen në ekran
Prej javës se ardhshme në programin e televizionit Alsat do të fillojë transmetimi i emisionit më të ri “N’dritë”. Një hapësirë e re për debate, analiza dhe intervista.
Nën udhëheqjen e, Arta Tahirit dhe Semra Musait, çdo të enjte në orën 21, do të mund të ndiqni tema nga aktualiteti politik e shoqëror, duke pasur gjithmonë në fokus misionin e gazetarisë për të zbardhur të vërtetën sepse çdo fakt meriton të dalë në dritë.
Zbulimi i të vërtetës lufton manipulimin dhe “N’dritë” ka këtë synim. Pyetje të drejtpërdrejta që nxjerrin të vërtetën në Dritë.
N’Dritë do të jetë forum i hapur për të gjitha partitë politike. Do të kultivojë debatin e hapur dhe demokratik në shoqërinë e Maqedonisë së Veriut. Do të ketë hapësirë për të gjitha subjektet politike, qoftë në pushtet apo në opozitë, por do të ketë hapësirë të konsiderueshme edhe për pikëpamjet e ekspertëve dhe analistëve.
“N’dritë” do të mbajë peshën e përgjegjësisë për informim të balancuar, duke respektuar standardet e larta gazetareske sepse gjithkush ka të drejtë ta thotë këndvështrimin e vet. Emisioni fillon më 17 shtator.
Paralelisht duke filluar nga 15 shtatori, gazetarët e emisionit “N’dritë” së bashku me kolegët Shkëlzen Aqifi dhe Fatlume Dervishi, do të drejtojnë edicionin qendror të lajmeve në Alsat në orën 19, ku vazhdojnë intervistat e ditës me të ftuar nga fusha të ndryshme.
Ndërkohë nga 14 shtatori përveç edicioneve informative në orën 16:00 dhe edicionin qendror në orën 19:00, në televizionin Alsat do të mund të ndiqni edhe lajmet 30 minutëshe të orës 22, ku do të pasqyrohen zhvillimet e minutës së fundit. Paralelisht të gjitha informacionet, në kohë reale mund t’i gjeni edhe në rrjetet tona sociale. /Alsat.mk








