Alternativa: Qeveria nuk ka nevojë për ASH-në

Alternativa: Qeveria nuk ka nevojë për ASH-në

GAZETAR: MEFAIL ISMAILI

Alternativa e cila është pjesë e pushtetit thotë se Qeveria nuk ka nevojë për Aleancën për Shqiptarët. Nga partia e Afrim Gashit e akuzojnë ushtruesin e detyrës kryetar i ASH-së, Arben Taravari se përpiqet ta shpëtojë BDI-në, nga deputetët e Grupit të zjarri, shkruan Alsat.

“Tash kur Qeveria është stabile dhe “zjarr” ndizet vetëm në kampin e BDI-së, Taravari del si shpëtimtar i tyre, duke i ofruar deputetët e tij për ta plotësuar mungesën e deputetëve “të zjarrtë” të BDI-së. Qytetari sigurisht e kupton dhe e vëren dallimin se për çfarë arsye hyri AlternAtivA në Qeveri dhe për çfarë arsye po ndodhë kjo vardisje e ASH-së drejt qeverisë”, thone nga Alternativa.

Por në intervistën për Radion e Lirë, kreu i ASH-së Taravari edhe njëherë mohoi të jetë takuar me Ahmetin ose Kovaçevskin për të negociuar pjesëmarrje në Qeveri. Ai madje tha se do të ishte mirë që në pjesën e parë të vitit të ardhshëm vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme dhe qytetarët të fitojnë Qeveri më të përgjegjshme.

“Gjithmonë opozita është për zgjedhje të parakohshme parlamentare, sinqerisht neve na duhet tre katër muaj dhe në mars ose prill ne do të ishim për zgjedhje të parakohshme. Në këtë periudhë të krizës unë mendoj se duhet të jemi të bashkuar, madje edhe para zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar këmbëngulja në Qeveri të ekspertëve dhe teknike, të ketë qeveri që do të jetë jo partiake, por më e gjerë, nga ekspertët”, deklaroi Arben Taravari, u.d. Kryetar i ASH-së.

Por pushteti deklarohet kategorikisht kundër zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. LSDM thotë se Qeveria është e fokusuar vetëm te kriza energjetike dhe ekonomike.

“Zgjedhjet do të jenë të rregullta dhe do të jenë në vitin 2024. Deri atëherë jem fuqishëm të fokusuar për tu ballafaquar me pasojat që vijnë nga kriza energjetike dhe ekonomike, gjithsesi edhe me rrugën evropiane të vendit”, tha Darko Kaeski, LSDM.

Edhe opozita maqedonase, VMRO-DPMNE, në disa raste ka kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, duke e akuzuar pushtetin për dështim në të gjitha fushat. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button