Ambasada amerikane në Danimarkë pas kaosit të krijuar nga Trump: “Nuk kemi plane të rrisim praninë ushtarake në Grenlandë”
Ambasada amerikane në Danimarkë pas kaosit të krijuar nga Trump: "Nuk kemi plane të rrisim praninë ushtarake në Grenlandë"

Shtetet e Bashkuara aktualisht nuk kanë plane të rrisin praninë e tyre ushtarake në Grenlandë, tha një zëdhënës i ambasadës amerikane në Kopenhagë.
Ai e deklaroi këtë pasi presidenti i sapozgjedhur amerikan Donald Trump shprehu sërish interes për bashkimin e Grenlandës në Shtetet e Bashkuara.
“Ne nuk kemi plane për të rritur praninë aktuale ushtarake amerikane në Grenlandë”, tha zëdhënësi për Reuters.
Ministri i Jashtëm danez Lars Loke Rasmussen tha dje se Danimarka ishte e hapur për dialog me Trump në lidhje me çështjet e sigurisë së Grenlandës, por tha se nuk ka gjasa që Grenlanda të bëhet ndonjëherë pjesë e Shteteve të Bashkuara.
Sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy tha se ishte i bindur se presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, do ta njihte Grenlandën si pjesë të Mbretërisë së Danimarkës, megjithëse ai pranoi se retorika e Trump mund të jetë destabilizuese nganjëherë.
Duke folur për BBC Radio 1, Lammy tha se ishte e qartë që nga mandati i parë i Trump se intensiteti i retorikës së tij dhe paparashikueshmëria e deklaratave të tij ndonjëherë mund të shkaktojnë paqëndrueshmëri.I pyetur për qëllimet e Trump për ta bërë Grenlandën pjesë të Shteteve të Bashkuara, Lammy tha se ai mendon se Trump është i fokusuar në çështjet e tij të Rusisë dhe Kinës në Arktik, si dhe në sigurinë ekonomike kombëtare.
“Jam i sigurt që Trump mendon se Grenlanda është pjesë e Mbretërisë së Danimarkës”, tha Lammy.