Ambasada amerikane në Moskë rikthen përkohësisht shërbimet

Ambasada amerikane në Moskë do të rifillojë përkohësisht shërbimet konsullore, pas vendimit të Qeverisë ruse për të shtyrë ndalimin e punësimit të shtetasve të huaj.

“Deri më 16 korrik, Ambasada amerikane në Moskë do t’i rikthejë përkohësisht shërbimet rutinë për qytetarët amerikanë, përfshirë shërbimet e pasaportave, raportet konsullore të lindjes jashtë vendit dhe shërbimet e kufizuara noteriale”, tha përmes një deklarate Ambasada amerikane në Moskë.

Ajo shtoi se “do të sigurojë edhe përpunimin e vizave emigruese për rastet me prioritet dhe urgjente”.

Deklarata nuk tha nëse Ambasada do të rifillojë lëshimin e vizave jo-imigruese – një çështje kjo që u diskutua gjerësisht nga rusët, që planifikojnë të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara në muajt e ardhshëm.

Ambasada amerikane në Moskë njoftoi më 30 prill se po e zvogëlonte numrin e shërbimeve konsullore, për shkak të kufizimeve që Rusia i kishte vendosur asaj në punësimin e stafit lokal.

Muajin e kaluar, presidenti Vladimir Putin nënshkroi një ligj, që e kufizon numrin e stafit vendor që punon në misionet e huaja diplomatike dhe agjencitë e tjera, si dhe urdhëroi Qeverinë ruse të hartojë një listë të shteteve “jomiqësore” që do t’u nënshtrohen kufizimeve.

Uashingtoni dhe Moska kanë hyrë tashmë në një fazë të re të tensioneve.

SHBA-ja ka sanksionuar së voni Rusinë për një varg çështjesh, përfshirë sulmet kibernetike, ndërhyrjet në zgjedhjet amerikane dhe kërcënimet kundër ushtarëve amerikanë në Afganistan.

LEXO EDHE:

Back to top button