Ambasadori bullgar: Marrëdhëniet Shkup-Sofje, si para 2017-s

Marrëdhëniet mes Shkupit e Sofjes janë rikthyer në situatën që ishin përpara nënshkrimit të Marrëveshjes për fqinjësi të mirë në vitin 2017, përplot mosbesim e provokime. Ky është vlerësimi i ambasadorit bullgar në Shkup, Angell Angellov. Sipas Angellovit, ngecje ka edhe në sferën e bashkëpunimit ekonomik, ndonëse kryeministri, Zaev vazhdimisht pretendon të kundërtën, duke theksuar se marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve, asnjëherë nuk kanë qenë më të mira.

“Përskaj vullnetit të mirë të shtetit tonë, në fqinjësi nuk pamë dëshirë për bashkëpunim. Treguesit më të mirë për këtë janë shifrat, statistikat për bashkëpunimin tregtar, ekonomik. Në tre muajt e parë nga nënshkrimi i marrëveshjes, në vitin 2017 kishte progres, por pastaj në vitin 2018 dhe 2019 këto trende pozitive u ndalën. Munguan investimet e reja bullgare në Maqedoninë e Veriut, mediat bullgare mbetën jashtë tregut, për dallim nga shtetet tjera në rajon. Gradualisht u kthyem në nivelin në të cilin ishim para Marrëveshjes”, tha Angell Angellov, Ambasador i Bullgarisë në Shkup. 

Ambasadori Angellov pret që përfaqësuesi i Qeverisë, Vllado Buçkovski të lehtësojë komunikimin dypalësh, por thekson se Bullgaria ka pozicion kombëtar konsensual, i cili nuk mund të ndryshojë lehtë. Ndërkohë eurodeputeti bullgar, Ilhan Kyçyk kritikon Sofjen se po gabon ndaj Maqedonisë së Veriut.

“Bashkimi Evropian bën gjithçka që është e mundur për të ndihmuar progresin dhe “Biletën e udhëtimit” për Ballkanin Perëndimor. Por paralelisht me këtë edhe Bullgaria ka angazhim të madh jo vetëm historik, por edhe moral për integrimin e Ballkanit Perëndimor dhe kjo mund të bëhet vetëm me një politikë të qartë dhe aktive ndaj fqinjëve tanë. Vazhdoj të them se interes strategjik i Bullgarisë është demokratizimi i fqinjëve, gjë që më së miri garantohet brenda Unionit”, pohoi Ilhan Kyçyk, eurodeputet.

Shkupi e Sofja tashmë kanë shkëmbyer propozim plane aksionare dhe po punojnë për harmonizimin e një teksti të përbashkët, i cili është parakusht për mbajtjen e konferencës së radhës ndër-qeveritare. Pikërisht plani i përbashkët aksionar, bashkë me heqjen dorë nga pretendimet për pakicë maqedonase në Bullgari dhe përdorimin e formulimit gjuhësor sipas marrëveshjes së 2017-tës janë disa nga kërkesat me të cilat Sofja e kushtëzon fillimin e negociatave për anëtarësim mes Shkupit e BE-së.

Anesa Salihu

LEXO EDHE:

Back to top button