Amerika e Jugut propozon zgjerimin e Kupës së Botës 2030 në 64 skuadra

Një propozim zyrtar për zgjerimin e Kupës së Botës 2030 në 64 skuadra është paraqitur nga organi drejtues i Amerikës së Jugut, Conmebol. Turneu do të organizohet nga Spanja, Maroku dhe Portugalia, ndërsa ndeshjet hapëse do të zhvillohen në Argjentinë, Paraguaj dhe Uruguaj.

Kupa e Botës 2026 do të jetë e para me 48 skuadra, por Conmebol dëshiron ta zgjerojë edhe më shumë për vitin 2030, për të shënuar 100-vjetorin e këtij kompeticioni.

“Kjo do t’u japë mundësi të gjitha vendeve të përjetojnë eksperiencën botërore dhe askush në planet të mos mbetet jashtë kësaj feste. Jemi të bindur se kjo festë qindvjeçare do të jetë e veçantë, sepse 100 vite festohen vetëm një here,” tha presidenti i Conmebol-it, Alejandro Dominguez, në kongresin e organizatës.

Ideja u propozua fillimisht në mënyrë “spontane” në një takim të Këshillit të FIFA-s në mars nga presidenti i Federatës Uruguaiane të Futbollit, Ignacio Alonso. FIFA deklaroi se ka për detyrë të analizojë çdo propozim që vjen nga një prej anëtarëve të saj të Këshillit.

Presidenti i FIFA-s, Xhiani Infantino, mori pjesë në Kongresin e Conmebol-it të enjten dhe theksoi “rëndësinë e jashtëzakonshme” që do të ketë Kupa e Botës 2030. Vendimi për të zgjeruar Kupën e Botës 2026 në 48 skuadra u mor në vitin 2017 pas një votimi unanim në kongresin e FIFA-s. Kongresi i 75-të i FIFA-s do të mbahet më 15 maj në Paraguaj, ku pritet të diskutohet propozimi i Conmebol-it.

Nëse propozimi pranohet, edicioni i vitit 2030 do të përfshijë 128 ndeshje, në krahasim me formatin me 64 ndeshje që u përdor nga viti 1998 deri në 2022.

LEXO EDHE:

Back to top button