Analistët ndërkombëtarë nuk presin shumë nga takimi Kurti-Vuçiq
Analistët ndërkombëtarë nuk presin shumë nga takimi Kurti-Vuçiq

Të enjten më 18 gusht, udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë do të takohen në Bruksel, mes shtimit të tensioneve dhe retorikës mes të dy vendeve. Ekspertët ndërkombëtarë nuk presin arritjen e ndonjë marrëveshjeje, ndonëse takimet shihen si zhvillim pozitiv për uljen e tensioneve në rajon. Ekspertët i bëjnë thirrje Bashkimit Evropian që të ndryshojnë politikat e zgjerimit pasi momentalisht ndikimi i bllokut evropian ka shënuar rënie.
Tensionet e fundit në mes të Kosovës dhe Serbisë e kanë nxitur Bashkimin Evropian dhe NATO-n të ftojë kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin, Aleksandar Vuçiq në Bruksel më 17 dhe 18 gusht, shkruan Zëri i Amerikës.
Ky do të jetë takimi i tretë në Bruksel në mes tyre. Takimi i parë ishte në qershorin e vitit 2021 dhe i dyti pas një muaji, në korrik.
Asnjë nga këto takime nuk prodhoi rezultate.
Ekspertët nuk shprehen optimist as për takimin e tanishëm.
Ajo që nxit edhe më shumë mosbesim është retorika e ashpërsuar e udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë.
“Do të ishte tërësisht e papërgjegjshme të përjashtojë mundësinë e tensioneve të reja dhe një konflikti të ri, me gjithë këto politika agresive të Beogradit. Eshtë e mundshme”, i tha kryeministri Kurti “Reuters” më 10 gusht.
“Mos vrisni njerëz. Dhe ne nuk duam të vrasim njeri, nuk e kemi ndërmend… Po ju them po përgatisin likuidimet e popullit tanë në veri”, tha presidenti serb, Vuçiq, një ditë më pas.
Pas këtyre deklaratave, Bashkimi Evropian i paralajmëroi ata se “politikanët e nivelit të lartë nga të dyja palët do të mbahen përgjegjës për përshkallëzimin e situatës që çon deri te rritja e tensioneve dhe mundpësitë për dhunë në rajon”.
Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill ndonëse i shqetësuar për retorikat nxitëse shprehet më optimist për dialogun mes tyre.
“Personalisht, mendoj se kemi më shumë arsye për optimizëm sesa pesimizëm, por edhe se të gjitha palët duhet ta frenojnë pak retorikën e tyre, sepse pati disa fjalë të ashpra, që nuk i ndihmojnë shumë këtij procesi”, tha ambasadori Kristofer Hill gjatë intervistës me televizionin publik serb më 13 gusht.
Mirëpo, analistët janë më të zymtë në parashikimet e tyre.