Analizat tregojnë se ndotja e ajrit është po aq e rrezikshme edhe në ambiente të mbyllura
Analizat tregojnë se ndotja e ajrit është po aq e rrezikshme edhe në ambiente të mbyllura
Gazetare: Melihate Rustemi
Ndërsa Shkupi radhitet ndër qytetet me ajrin më të ndotur në botë, prania e madhe e grimcave helmuese në ajër vërehet pothuajse në të gjitha qytetet e vendit. Rreziku nga ajri i ndotur është i madh si në ambiente të hapura poashtu edhe në të mbyllura, tha rektori i universitetit “Goce Delçev” në Shtip, Dejan Mirakovski duke prezantuar rezultatet e analizës që ka të bëj me cilësinë e ajrit në ambient të brendshëm, në shkolla dhe çerdhe.
“Mesatarisht, ne i tejkalojmë rekomandimet e organizatës botërore me gati dy herë, ndaj është e nevojshme të merren masa që do t’i bënin kushtet në shkolla dhe kopshte të shëndetshme dhe të sigurta për fëmijët dhe mësuesit. Ndryshe nga pjesa e jashtme, këtu kemi më shumë zgjidhje, nga sistemet moderne të ventilimit e deri te sistemet e thjeshta të pavarura të filtrimit të ajrit. Dhe, siç përmenda masa të thjeshta higjienike, pastrimi i lagur, përdorimi i këpucëve ose rrobave të destinuara vetëm për hapësirën e brendshme”, deklaroi Dejan Mirakovski, rektor i universitetit “Goce Dellçev” Shtip.
Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska tha se shteti duhet të bëj të pamundurën për të siguruar kushte më të mira në shkolla me qëllim mbrojtjen e shëndetit të nxënësve dhe punonjësve në arsim.
“Shteti patjetër të punoj në përmirësimin e kushteve për jetesë dhe punë në gjithë mjedisin, por sigurisht edhe intensivisht në shkolla. Në këtë drejtim po punojmë për efikasitetin energjetik të shkollave për të reduktuar emetimet e dioksid karbonit, si dhe po punohet për ndryshimin e sistemeve të ngrohjes, por ajo që është gjithashtu shumë domethënëse, do të punojmë edhe për t’u ofruar nxënësve dhe mësuesve njohuri, pra edukim për ruajtjen e mjedisit që është një moment domethënës”, u shpreh Vesna Janevska, ministre e Arsimit.
Ndotësit më të mëdhenj gjatë dimrit vazhdojnë të mbeten djegia e drurit, djegia e mbeturinave, si dhe djegia e naftës dhe mazutit, i cili përdoret më së shumti për ngrohjen e institucioneve publike. /Alsat.mk