Andonovski: Filloi faza e parë e shfuqizimit të balancuesit

Andonovski: Filloi faza e parë e shfuqizimit të balancuesit

Gazetar: Suad Bajrami

Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, njoftoi se ka filluar faza e parë e shfuqizimit të balancuesit, apo veglës e cila mundëson dhe mban llogari për përfaqësim të drejtë dhe adekuat të komuniteteve etnike në institucionet shtetërore, shkruan Alsat.

“Shfuqizimi i balancuesit do të shkojë në faza. Kjo është faza e parë që të kthehemi në bazat ligjore të regjistrimit të vitit 2021, ndërkaq më pas me ligj dhe ndryshim të metodologjisë do të shkojmë drejtë shfuqizimit të plotë të veglës balancuesi, gjatë së cilës në tërësi do të respektohet vlera themelore e Kushtetutës, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i komuniteteve etnike”, tha Stefan Andovkoski, ministër i Transformimit Digjital.

Ai informoi se tani, balancuesi do të vlejë vetëm për personat rezident, ndërkaq ata që janë regjistruar jashtë vendit nuk do të jenë pjesë e veglës.

“Mu prej sot mund të informoj se numrat në kuadër të veglës digjitale balancues, janë ndryshuar t’u përgjigjen rezultateve të Regjistrimit, vetëm të popullatës rezidente nga regjistrimi i vitit 2021. Që do të thotë se personat e të ashtuquajtur, të regjistruar në shtete si Itali, Zvicër, Gjermani e kështu me radhë, nuk do të jenë pjesë e veglës digjitale balancues për punësim në Republikën e Maqedonisë”, u shpreh Stefan Andovkoski, ministër i Transformimit Digjital.

Derisa kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëron shfuqizimin e plotë të balancuesit, nga partneri qeveritar VLEN, kanë paralajmëruar disa herë se shfuqizimi i balancuesit do të zëvendësohet me ligj për përfaqësim të drejtë dhe adekuat të komuniteteve në institucionet shtetërore.

Çështja e shfuqizimit të balancuesit tanimë një kohë të gjatë është temë debati, pasi në periudhën e kaluar është keqpërdorur shumë. Respektivisht, ka pasur shumë raste kur qytetarët rrejshëm janë paraqitur si pjesë e një komuniteti tjetër vetëm për t’u punësuar. Nga ana tjetër, shteti nuk ka mekanizma ligjor këtë për ta parandaluar këtë keqpërdorim.

Kritika ka pasur edhe për qasjen e përparësisë së përkatësisë etnike para cilësive të kandidatëve. Qëllimi kryesor i këtij instrumenti qe bazohet në Marrëveshjen e Ohrit dhe Kushtetutë është që të parandalojë diskriminimin në bazë etnike gjatë punësimeve./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button