“Andrra n‘beze”, projekti që afron fëmijët me përrallat tradicionale shqiptare
“Andrra n‘beze”, projekti që afron fëmijët me përrallat tradicionale shqiptare

Një projekt i titulluar “Andrra n‘beze” do të sjellë më pranë fëmijëve përrallat tradicionale shqiptare.
Ky projekt i veçantë vjen si iniciativë e Qendrës për Hapje dhe Dialog, Teatrit të Kukullave dhe Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë. Ai synon t’u mundësojë fëmijëve të eksplorojnë trashëgiminë e pasur të përrallave tradicionale shqiptare, duke u dhënë atyre rastin për t’i përshtatur dhe riinterpretuar, në kontekstin e realitetit modern.
Nëpërmjet tregimit, ilustrimit dhe dramatizimit, fëmijët do të punojnë në grupe për të marrë përralla të lashta dhe për t’i risjellë me elementë bashkëkohorë.
Kjo qasje krijuese do t’i ndihmojë fëmijët të lidhen me trashëgiminë kulturore, teksa zhvillojnë aftësitë e shprehjes dhe tregimit.
Projekti ka si qëllim promovimin e njohurive dhe vlerësimit të trashëgimisë kulturore shqiptare; zhvillimi i aftësive krijuese përmes shkrimit, artit dhe teatrit; promovimin e punës në grup; zhvillimi i aftësive për të përshtatur idetë e hershme në kontekstin aktual./atsh