Anëtari në KSHZ vazhdon të përçajë partitë, LEN: Alarmuam faktorin ndërkombëtar
Anëtari në KSHZ vazhdon të përçajë partitë, LEN: Alarmuam faktorin ndërkombëtar

Gazetare: Fatlume Dervishi
Nëse partitë politike nuk merren vesh për zgjedhjen e anëtarit të ri të KSHZ-së, kreu i Kuvendit Talat Xhaferi, vazhdon të mendojë se nuk ka asgjë kontestuese që institucioni për organizimin e zgjedhjeve të punojë edhe me një anëtar më pak. Xhaferi, në takim joformal me gazetarët, po ashtu shton se nëse partitë nuk arrijnë të merren vesh, ka kohë edhe për konkurs të ri për anëtar të KSHZ-së ku e gjithë procedura do të përsëritej nga e para.
Nga ana tjetër, është gjithmonë e më e sigurt se asnjëri nga dy kandidatët që morën mbështetjen e partive politike, nuk ka mbështetjen e duhur për t’u zgjedhur. Kandidati i Partisë Demokratike Evropianë Zulfi Adili mbështetet nga pushteti, sipas debatit të një dite më parë në komision, kurse ai i Lidhjes Evropiane për Ndryshim Abdush Demiri, mbështetet nga opozita. Kjo e bën të pamundur që cilido prej tyre të sigurojë 80 vota në plenare.
Opozita shqiptare vlerëson se nëse nuk zgjidhet kandidati që ka mbështetjen e tyre, prishet raporti pushtet – opozitë në KSHZ.
“Ligji është i qartë. Opozita definohet në zgjedhjet e fundit parlamentare. Opozitë nuk mund të deklarohet dikush që ka formuar parti politike para dy muajsh. Ne sot i kemi alarmuar të gjithë faktorët ndërkombëtarë në vend dhe u kemi thënë se mjetet tona demokratike për ta luftuar këtë fenomen i cili po mundohet që t’i montojë zgjedhjet demokratike dhe zgjedhjet e majit janë nga fundi dhe në qoftë se ne hasim edhe më tej në vesh të shurdhër do të jemi të detyruar që t’i radikalizojmë veprimet tona”, tha Orhan Murtezani, Alternativa, Lidhja Evropiane për Ndryshim.
I pyetur për situatën e krijuar, ministri i Drejtësisë dhe funksionar i Aleancës për Shqiptarët Krenar Lloga ka një propozim tjetër, që edhe pushteti edhe opozita të përfaqësohen edhe me nga një anëtar më shumë në KSHZ.
“Ajo është punë e Kuvendit dhe unë nuk dua ta komentoj atë si ministër i Drejtësisë. Nga ana tjetër, si politikan e di se në vitin 2020 kishim një praktikë të tillë kur shumica në atë kohë kishte pesë anëtarë në KSHZ dhe dy nga opozita dhe zgjedhjet ishin fer, të lira dhe demokratike. Kështu që nëse ju një herë keni një parim të tillë dhe ka kaluar në sistemin tuaj përse të mos lejohet përsëri. Edhe pse unë jam për atë që të zgjerohet përbërja e KSHZ-së edhe me nga një anëtar dhe zgjidhja e këtij problemi do të jetë më pak e dhimbshme”, deklaroi Krenar Lloga, ministër i Drejtësisë.
Asnjëri nga të dy emrat Abdush Demiri dhe Zulfi Adili dje nuk kaloi filtrin e Komisionit për zgjedhje dhe emërime. Kryetarja e komisionit propozoi që të dy emrat të kalojnë për hapin tjetër në seancë plenare por opozita mendon se duhet të kalojë vetëm kandidati i tyre. /Alsat.mk