Angela Merkel vaksinohet me AstraZeneca

Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka marrë dozën e parë të vaksinës kundër koronavirusit AstraZeneca.

“Vaksinimi është çelësi për të dalë nga pandemia”, ka thënë Merkel, sipas një postimi të zëdhënësit të saj, Steffen Seibert.

Imunizimi i kancelares gjermane bëhet dy javë pasi autoritetet kanë rekomanduar vaksinimin me AstraZeneca vetëm të personave mbi moshën 60 vjeç.

Këtë vit, Merkel, e kryen mandatin e saj pas gati 16 vitesh në pushtet.

Merkel shpesh ishte pyetur në lidhje me planet e saj për tu vaksinuar, por ajo kishte këmbëngulur se do të priste radhën në përputhje me rregullat e rrepta të vaksinimit të grupeve me përparësi në Gjermani.

Zyrtarët gjermanë po bëjnë përpjekje për të rritur besimin e publikut për vaksinën e AstraZeneca.

Në fund të marsit autoritetet thanë se njerëzit nën moshën 60 vjeç ende mund të marrin vaksinën AstraZeneca, në konsultim me mjekun e tyre, dhe nëse janë plotësisht të vetëdijshëm për rreziqet e mundshme.

Disa vende të tjera, duke përfshirë Francën, Spanjën dhe Kanadanë, gjithashtu kanë vendosur kufizime në imunizimin me AstraZeneca për shkak të disa rasteve me mpiksje të gjakut.

Danimarka këtë javë ndaloi plotësisht përdorimin e AstraZeneca për shkak të këtyre shqetësimeve.

LEXO EDHE:

Back to top button